Bllokada në Kuvend, thirrje për protesta masive: Kjo legjislaturë mafioze, sa më parë të…!

Politika

Bllokada në Kuvend, thirrje për protesta masive: Kjo legjislaturë mafioze, sa më parë të…!

Nga: A.M. Më: 7 qershor 2025 Në ora: 20:07
Kuvendi i Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur as të shtunën që të konstituojnë përbërjen e re parlamentare, duke shënuar dështimin e 28 me radhë.

Kjo po shkakton pakënaqësi të shumta tek qytetarët, madje po bëhen thirrje për protesta masive nga qytetarët.

Por, sa do vazhdojë kjo bllokadë dhe çka pritet të ndodhë më tej?

E për këtë cështje në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli analisti politik, Gani Qarri.

Ai kritikoi qasjen e deputetëve për moskonstituimin e Kuvendit, derisa për këtë e fajësoi partitë opozitare.

“Duke qenë se në disa votime të hapura me radhë, dështoi zgjidhja e kryetarit/es dhe konstituimi i Kuvendit, para më tepër se 5-6 javësh, apo qysh më 1 maj, nga kryesuesi i seancave parlamentare z. Avni Dehari, me shpresën se të paktën në këtë mënyrë, do të zgjidhej bllokada e krijuar nga opozita, u propozua forma e votimi të fshehtë, në vazhdimin e seancave.

Krejt kjo me shpresën për ti dhënë edhe një shans tjetër konstituimit të Kuvendit, por ja që tanimë po arrijmë në plotësimin e muajit të 4-tër, nga mbajtja e zgjedhjeve dhe sot e atëherë, shkaku i mosvotimit të partive opozitare të koordinuara me të ashtuquajturën "listë serbe", jo vetëm të kandidates së LVV-së për kryetare të Kuvendit, por duke mosvotuar as për formimin e komisionit mbikqyrës të votimit, mjerisht Kosova edhe 4 muaj pas mbajtjes së votimeve parlamentare, vazhdon të mbetet pa kuvend funksional dhe institucionet tjera legjitime shtetërore” – deklaroi analisti.

Image
Gani Qarri.

Krahas kësaj, Qarri tha se këto seanca kanë filluar të bëhen të mërzitshme dhe kjo po shkakton edhe irritim te qytetarët.

Madje, tha se duhet të ketë reagime të ashpra nga qytetarët, madj edhe përmes protestave masive në rrugë kundër këtij ngërçi.

“E sikur mos të mjaftonin mosvotimet formës së hapur, kjo ishte hera e nëntëmbëdhjetë që deputetët opozitar dhe e ashtuquajtura "listë serbe" refuzuan edhe votimin e fshehtë për kryeparlametar, ndërsa nga 15 prilli kur filloi seanca e parë për konstituimin e Kuvendit, fatkeqësisht edhe për të 28-tën herë me radhë, dështuan përpjekjet për konstituimin e Kuvendit.

Kështu që, seancat e tilla bllokuese, kanë filluar të bëhen shumë të mërzitshme edhe për qytetarët, derisa papërgjegjshmëria totale e deputetëve të kësaj legjislature pakurrizore është bërë më shumë se e tepërt, ndaj duke parë se forma e butë e reagimit të deritanishëm qytetar, nuk po ua mbush mendjen fare partive as deputetëve mosvotues, për ta zhbllokuar konstituimin e Kuvendit, duhet të ndodhë një reagim më i ashpër deri te protestat dhe demonstratat masive në rrugë dhe para Kuvendit, për të ushtruar presion të njëmendtë, në mënyrë që pas 4 muajsh dështime, përfundimisht të vije deri te zgjidhja e ngërçit”.

 Tutje, analisti u shpreh pesimist se mund të ketë një zgjedhje të shpejt për këtë situatë.

Për këtë, vlerësoi se do ishte mirë t kërkohet një masë ndalimi për mbajtjen e seancave shterpe.

“Por megjithëse nuk shihet as në horizont vullneti për konstituimin e Kuvendit dhe çështja e votimit të fshehtë nga partitë që po kundërshtojnë votimin është dërguar në Gjykatën Kushtetuese për interpretim, e cila do ishte mirë, që të kërkojë ndërmarrjen e ndonjë masë të përkohshme për ndalimin e mbajtjes së seancave shterpe dhe pa asnjë rezultat, për habi seanca konstituive e radhës është caktuar të mbahet me 9 qershor, vetëm sa për ta marrë deputetët mëditjet e radhës 48 orëshe!

Deputet të cilët janë kthyer në keqpërdoruesit më të mëdhenj publik të buxhetit të shtetit dhe taksave të qytetarëve, duke shkaktuar precedentin më fatal të kësaj kohe, për ta lënë vendin qëllimisht pa Kuvend funksional dhe pa institucione shtetërore, veprime këto të dyshimta kundërkushtetuese e penale, derisa ligjet dhe kushtetuta i ngarkon të gjithë deputetët pa dallim, me përgjegjësi jo për bllokada shumë mujore, por për dhënien e kontributit në konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve legjitime shtetërore të Republikës së Kosovës”, nënvizoi Qarri.

Ndër të tjera, ai vlerësoi se vendi urgjentisht duhet të shkojë në zgjedhje të reja ose të mbahen protesta masive nga qytetarët.

Ai potencoi edhe faktin se si Kosova po humbë miliona nga kjo bllokadë.

“Dhe duke qenë se tanimë edhe seancat e dështuara konstituive janë bërë aq të bezdisshme, pas dështimit edhe për të 28-tën herë radhazi, papërgjegjshmëria e deputeteve sharlatan dhe këtyre zhvatësve më të paskrupullt të taksave të qytetarëve, është bërë aq e padurueshme sa që, vendi urgjentisht duhet të shkojë në zgjedhje të reja, ose qytetarët të ngriten në protesta e demonstrata masive, në mënyrë që sa më parë, o të konstituohet Kuvendi, ose të shkërmoqet, edhe kjo legjislaturë mafioze.

Legjislaturë e dyshimtë e cila përveç bllokadës së Kuvendit, i ka bllokuar edhe 880 milionë euro të BE-së, të parapara për mirëqenien e qytetarëve, zhvillimin ekonomik të vendit dhe mbarëvajtjen e shtetit të ri të Kosovës dhe pikërisht shkaku i bllokadës së Kuvendit dhe pengimin e formimit të institucioneve, nga opozita e inkriminuar, në koordinim me dorën e zgjatur të Serbisë në Kosovë, të ashtuquajturën "listë serbe", as gati një miliardë euro të Bashkimit Evropian, nuk po mund të transferohen në Kosovë, akt për të cilin kjo legjislaturë gjithsesi dhe në çfarëdo forme qoftë, medoemos duhet të shkërmoqet dhe defaktorizohet, ndërsa deputetët e tillë bllokues, duke qenë se u mungon tërësisht dinjiteti dhe përgjegjësia morale, duhet vënë sa më parë para përgjegjësisë kushtetuese dhe penale”, përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat