Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) do të organizojë protestë duke shprehur pakënaqësinë për moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe mosrespektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Protesta do të mbahet më 7 gusht, në orën 17:00, në sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë.
Për këtë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politike, Driton Tali.
Tali theksoi se e drejta për të protestuar u takon të gjithëve, përfshirë edhe partitë politike, pa marrë parasysh qëllimin apo përmbajtjen e protestës.
Megjithatë, ai ngriti shqetësimin për rolin dhe qëndrimet e OVL-së së UÇK-së, e cila sipas tij duhet të qëndrojë jashtë përkatësive politike për shkak të simbolikës dhe përgjegjësisë që bart.
“E drejta për të protestu i takon çdo kujt pa marrë parasysh. Andaj në këtë kontekst edhe protestat partiake, për çfardo mocioni që mund ta kenë, është demokratike, i pëlqej dikujt kjo apo jo.
Megjithate, OVL, për shkak të simbolikës që ka në vetveten e saj, duhet të ketë kujdes që të "mos ngjyroset me ngjyra partiake" sepse jo rrallëhere disa përfaqësues e udhëheqës të saj kanë qenë jo mjaftueshëm të kujdesshëm duke i shpreh disponimet, për mos të thënë animet, e tyre individuale ndaj partive të caktuara, për çka edhe e "ngjyrosnin OVL'ën" me ngjyra të një partie të caktuar.
Ajo që ndodhi me Kuvend, kushdo që ka dashur ta shikoj në mënyrë të paanshme, e ka paraparë moti. Sepse në rrugën që u futën partitë kuvendore nuk mund të kishte dalje tjetër pos kësaj.
Siç e dini, unë disa herë kam apeluar që partitë kuvendore të ulen bashkë e të merren vesh për datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme sepse asnjëra palë se kishte shumicën e duhur për ta krijuar Qeverinë, dhe shumëçka ishte deklaruar ashtu që e bënte të pamundur bashkimin e palëve të nevojshme për të kriju shumicën e domosodshme.
Shih për këtë, kishte nevojë për një ristartim, të cilin e mundësojnë vetëm zgjedhjet e reja.
Prandaj dakordimi për datën për zgjedhjet e reja ishte i nevojshëm ashtu që edhe vetit mos t'i humbasin kot kohë e mund, mbase edhe elektorat për faktin se u bënë bajat, por edhe neve qytetarëve të zakonshëm të na kursenin nga kjo zgjatje absurde e kësaj situate”, shprehet Tali.
Tutje, Tali ka shprehur shqetësimin e tij mbi zërat që flasin për mundësinë që kjo gjykatë të ndërhyjë në mënyrë të diskutueshme në çështjen e mandatimit të deputetëve.
Tali ka kujtuar vendimin e kontestuar të vitit 2014, duke thënë se një përsëritje e atij gabimi do të kishte pasoja afatgjata për demokracinë dhe legjitimitetin institucional në vend.
“Sidoqoftë, unë nga Gjykata Kushtetuese kësaj radhe pres që me verdiktin e saj mos ta përsëritë gabimin e viti 2014, sepse pastaj vendimi i saj do të na përcjell edhe në të ardhmen.
Këto opinionet që po dëgjohen mbi "vendimin për marrjen e mandatit të deputetëve nga Gjykata Kushtetuese"
Sinqerisht besoj se gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk do ta bëjnë për shkak të pasojave që do t'i prodhoj pastaj ai verdikt,” përfundon ai.