Thirrjet nacionaliste dhe gjuha e urrejtjes, si “vdekje për shqiptarët” dhe “dhoma gazi për shqiptarët”, u dëgjuan gjatë ndeshjes së basketbollit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e zhvilluar në qytetin e Kumanovës.
Në këtë ngjarje ishin të pranishëm edhe liderë politikë si kryeministri Hristijan Mickoski, ministri i Punëve të Brendshme Panço Toshkovski, zëvendëskryeministri Ivan Stoilkoviq dhe kryetari i Komunës së Kumanovës Maksim Dimitrievski, të cilët nuk reaguan ndaj kësaj sjelljeje. Mosreagimi i tyre është parë si heshtje miratuese dhe sinjal shqetësues për përfshirjen e elitës politike maqedonase në përshkallëzimin e klimës së urrejtjes ndër-etnike.
Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, analisti politik Sulejman Mehazi ka hedhur akuza të forta ndaj elitës politike maqedonase, duke paralajmëruar një rikthim të skemave nacionaliste që kanë karakterizuar ciklet zgjedhore në të kaluarën.
“Ethet e Zgjedhjeve Lokale sa më shumë që afrohen në RMV aq më shumë do shohim e dëgjojmë kësi skena të shëmtuara fashizoide jo vetëm në ndeshjet sportive, por edhe në media, po dhe do ketë pankarte e parolla vdekjeprurëse të maqedonasve ndaj shqiptarëve” , deklaroi Mehazi.
Sipas tij, gjuha e urrejtjes e shfaqur hapur në Kumanovë nuk ishte rastësi, por pjesë e një strategjie të mirëmenduar politike për të mobilizuar votuesit maqedonas përmes frikësimit dhe demonizimit të shqiptarëve.
“Të shprehet gjuha e urrejtjes, nacionaliste e shoviniste ndaj shqiptarëve në ndeshjen baskebollistike nga publiku i Kumanovës në prezencën e kryeministrit Mickoski, ministrit të Punëve të Brendshme, Panço Toshkovski, zëvendëskryeministrit serb, Ivan Stoilkoviq dhe kryetarit të Komunës së Kumanovës Maksim Dimitrievski, ka kuptimin e përgatitjes skenike të elitës politike maqedonase për të luajtë nacionalizmin e tyre para votuesve maqedonas”, theksoi Mehazi.
Gjithashtu, ai akuzoi drejtpërdrejt partinë maqedonase VMRO-DPMNE për përdorimin e nacionalizmit si mjet elektoral, duke kujtuar se kjo strategji ka qenë fituese për ta në të kaluarën.
“Është e qartë se partia maqedonase VMRO përherë e çdoherë ka fituar zgjedhjet parlamentare e lokale duke luajtur kartën nacionaliste ndaj shqiptarëve. Për këtë urrejtje raciste maqedonase janë fajtor edhe partitë shqiptare që kanë qeverisur me VMRO-në, për shkak se partitë shqiptare në pushtet jo vetëm që kanë qenë të heshtur ndaj racizmit maqedonase-serbe në RMV, por edhe e kanë ushqyer”, shtoi ai.
Tutje, Mehazi renditi një sërë shembujsh që sipas tij dëshmojnë se shqiptarët gjithmonë kanë bërë kompromise për stabilitetin e shtetit, ndërsa janë shpërblyer me urrejtje:
“Gjatë krijimit të Maqedonisë maqedonasit na pyetën, se a do të na pranoni kombin tonë?, ne shqiptarët ju thamë, po, mirëpo ata na përgjigjën me ‘smrt za šiptari’.
Gjatë luftës së 2001 maqedonasve ju thamë, a e doni marrëveshjen e Ohrit që ju të jeni shumicë e ne shqiptarët pakicë?, thanë po, ama dëshirojmë ‘smrt za šiptari’.
Pastaj ju thamë maqedonasve, a doni që gjuha shqipe të jetë 20%-she e gjuha maqedonase 80%-she?, thanë po, ama me zemër thonë ‘Smrt za šiptarite’.
Me marrëveshjen e Prespës ju thamë maqedonasve, a doni deputetët shqiptarë ta zgjidhin problemin e emrit tuaj me Greqinë?, thanë po; dhe thonë ‘smrt za šiptarite’.
Ju thamë maqedonasve, a doni që me ndihmën e partive shqiptare t'ua sigurojmë shtetin e RMV-së me anëtarësimin në NATO?, thanë po; në anën tjetër shprehen ‘smrt za šiptarite’.
Tani ju themi maqedonasve: a doni me ndihmën e shqiptarëve ta zgjidhni problemin tuaj me Bullgarinë për t'u anëtarësuar në BE?, për fat të keq të gjitha të mirat tona shtetërore maqedonasit i kanë harruar, na shajnë, ofendojnë e na urrejnë deri në ‘smrt za šiptarite’”, potencoi ai
Mehazi përfundon se “faji për këtë ‘dhuratë’ maqedonase ‘smrt za šiptarite’ rrjedh nga partitë shqiptare që kanë votuar kundër vetes e sipas dëshirave politike serbe-maqedonase.”