Zhvillime të reja në Shqipëri: A mund të ftohet Rama nga SPAK?

Politika

Zhvillime të reja në Shqipëri: A mund të ftohet Rama nga SPAK?

Nga: N.E Më: 17 dhjetor 2025 Në ora: 18:20
Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka qenë cak i opozitës këto javë me deklarime e aksione të ndryshme.

Kreu i PD-së Sali Berisha, ka paralajmëruar sot kryeministrin Edi Rama se do të bëjë gjithçka që ai të mos marrë pushtetin minimal që ka drejtësia.

Berisha theksoi se Rama po përpiqet të asgjësojë përpjekjet që po bën drejtësia.

“Edi Rama është i aftë të bëjë çdo gjë për të qëndruar në pushtet. Tani është ora jonë që të luftojmë deri në krijimin e një qeverie teknike.

Njeriu që nisi qeverinë duke dalë nga ekrani në ekran me hekura në duar, i tregonte hekurat qytetarëve se nuk kishin paguar një faturë dritash apo ujë, tani është i kapur në flagrancë dhe përdor pushtetin e krimit për t’u mbrojtur. Rama është i aftë për grusht shteti. Ai i ka të gjitha opsionet. Është i aftë që edhe këtë përpjekje që po bën drejtësia ta asgjësojë.

Si tha: Nuk do ta kalojë këtë si rastet e tjera, por do bëjmë analizë të thelluar. E them këtë si udhëheqës i reformës në drejtësi. Ne do bëjmë gjithçka nëse përpiqesh të marrësh atë pushtet minimal të drejtësisë.

Nuk ikën ai po nuk u ngritëm ne”, tha Berisha.

Ndërsa, Edvin Kulluri deklaratat e kryeministrit Edi Rama ndaj Byrosë Kombëtare të Hetimit, i ka quajtur si kërcënim.

Duke bërë një paralelizëm me marrjen të pandehur të Belinda Ballukut, Kulluri shpreh se kreu i qeverisë mund të thirret gjithashtu në SPAK dhe për pasojë zbuloi ehe skenarët që mund të ndjekin një ngjarje të tillë.

“Koburet e drurit ishin mesazh shumë i rëndë kërcënim ndaj SPSK dhe BKH. Nuk është hera e parë që ndodh dhe kjo ndodh sepse Rama është vetë i rrezikuar. Balluku nuk është marrë kot e pandehur, është kockë e fortë brenda PS. Balluku s’mund të lejojë të bëhet kurbani i radhës i Ramës siç u bë Ahmetaj.

Mund të kemi ndonjë thirrje të Ramës këto ditë, ka dy rrugë, ose do bëjë puç kushtetues ndaj organeve të drejtësisë ose do të ndjekë rrugën e drejtësisë dhe vendi do të shkojë në zgjedhje. Këtu pastaj hapen skenarë të tjerë”, tha ai.

Kreu i PD-së, Sali Berisha, ndaj Ramës kishte bërë edhe aksione të ndryshme në protesta të mbajtur, madje në një prej tyre duke ia kishte paraqitur socialistët e hetuar dhe të burgosur nga SPAK, përfshirë dhe Belinda Ballukun me veshje të burgut.

Kujtojmë qe ditën e djeshme (16 dhjetor) Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i dërgoi Kuvendit kërkesën për autorizim për heqjen e mandatit me qëllim arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku, e cila është nën hetim për disa afera korruptive.

Në njoftimin zyrtar SPAK sqaron Belinda Balluku është marrë e pandehur për “Shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”.

Gjithashtu, Balluku ka marrë cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale për shtatë procedura të tjera prokurimi me objekt:

“Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”;

“Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”;

“Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”;

“Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”;

“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”;

“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”;

“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”.

Rreth zhvillimeve në Shqipëri, ka folur për “Bota sot”, analisti Ilir Vata, i cili thotë se këto ditë ka pasur zhvillime të reja.

“Reforma në drejtësi në Shqipëri është paralele me Prokurorinë Speciale në Kosovë, ku gjeneralë të luftës janë nën akuzë për krime lufte në Kosovë, ndërsa në Shqipëri politika e vjetër është nën akuzë nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, për korrupsion. Ajo që është e rëndësishme në këtë reformë të domosdoshme për Shqipërinë është fakti se ndërkombëtarët janë pjesë e saj dhe ajo monitorohet prej tyre. Aktualisht, SPAK është institucioni më i besueshëm për shqiptarët dhe shumë zyrtarë të korruptuar janë vënë para përgjegjësisë penale, si nga mazhoranca ashtu edhe nga opozita. Beteja vazhdon! Këto ditë ka pasur zhvillime të reja: zëvendëskryeministres i është kërkuar nga SPAK heqja e imunitetit dhe arrestimi i saj. Në lidhje me analistët opozitarë, nuk ka një përgjigje të qartë, sepse ata janë të dyzuar. Në fillim duhet të flasin drejt, të denoncojnë korrupsionin si fenomen dhe jo të ngrenë shigjeta majtas apo djathtas sipas interesit. Interesi i shqiptarëve është pastrimi i politikës dhe i pushtetit nga zyrtarët dhe politikanët e korruptuar, dhe kjo është edhe beteja e drejtësisë”, deklaron Vata.

Image
Ilir Vata

Ai thotë se nuk indicie ligjore për thirrjen e Ramës nga SPAK, por në rast të mundshëm atëherë shteti mund të bjerë në kolaps ose të përballet me përmbysje të vetë rendit shtetëror.

“Sa i përket thirrjes së Ramës nga SPAK, kjo nuk ka asnjë indicie ligjore; është thjesht një dëshirë e analistëve. Rama është i vetmi politikan që nuk ka një akuzë nga SPAK. Askush nuk është mbi ligjin, dhe këtë SPAK po e tregon, sepse ka mbështetjen ndërkombëtare. BE dhe SHBA kanë parë se shqiptarët vidhen dhe kërkojnë që, nëpërmjet SPAK-ut, të pastrohet politika e vjetër dhe e korruptuar për të vendosur shtetin e së drejtës dhe demokracinë. Në lidhje me pyetjen se çfarë pasojash politike dhe institucionale do të sillte një përballje e drejtpërdrejtë e Ramës me SPAK-un, kjo nuk mund të ndodhë, sepse shteti mund të bjerë në kolaps ose të përballet me përmbysje të vetë rendit shtetëror. Pra, mund të ndodhë një puç shtetëror, kur drejtësia kërkon të kapë shefin e ekzekutivit dhe situata mund të bëhet e paimagjinueshme; madje shteti mund të shkojë drejt degjenerimit. Rama ka deklaruar se është në anën e drejtësisë. Edhe në rastin Balluku, kryeministri iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, pra drejtësisë. Edhe kërkesës së fundit të SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, Rama u përgjigj se do ta gjykojë Kuvendi. Pra, aktualisht Rama nuk shihet si pengues i drejtësisë, por si kontribuues i saj. Analistët opozitarë duhet ta mbajnë fokusin te drejtësia dhe jo te anësia politike. Fakti që Rama nuk ka akuzë tregon se ai është në anën e drejtësisë”, përfundon Vata.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat