Analisti politik Skender Zogaj, bashkëpunëtor i presidentit historik Ibrahim Rugova, vlerëson se rezultati i Lidhjes Demokratike të Kosovës në këto zgjedhje ka qenë i pritshëm dhe, sipas tij, madje edhe më i mirë sesa e ka merituar realisht partia.
Sipas Zogajt, ky rezultat nuk është fryt i një strategjie politike të suksesshme, por i përkushtimit të militantëve partiakë, të cilët, siç thotë ai, mbeten emocionalisht dhe jetikisht të lidhur me idealet e Ibrahim Rugovës.
“Rezultati i LDK-së në këto zgjedhje është plotësisht i merituar, madje edhe më i mirë sesa e ka merituar realisht. Ai është arritur falë militantëve partiakë që janë të lidhur ngushtë me idealet e Ibrahim Rugovës”, deklaron Zogaj.
Ai thekson se LDK-ja prej vitesh, me vetëdije të plotë, e ka ndryshuar kursin politik, duke u larguar nga ajo që e quan “Magjistralja Ibrahim Rugova”.
“LDK-ja aktuale ka vite që është përcaktuar për një ‘rrugë të re’, e cila ndahet dhe largohet nga vizioni politik i Ibrahim Rugovës dhe, siç po shihet, po e çon partinë drejt humbjeve të rënda”, shprehet analisti.
Zogaj vlerëson se rezultati zgjedhor përbën një dëshmi të qartë se kjo qasje politike ka dështuar dhe se nga kjo humbje duhet nxjerrë mësim për ringjallje, përndryshe, sipas tij, LDK-ja rrezikon të mbetet vetëm pjesë e historisë.
“Nëse nuk nxirret mësim nga ky rezultat, atëherë Partia e Parë Demokratike Shqiptare, e cila e para në Ballkan e mposhti diktaturën komuniste dhe i hapi Kosovës rrugën e çlirimit, lirisë dhe pavarësisë, duhet të mbyllet në dosjet historike”, thotë ai.
Duke folur për domosdoshmërinë e analizës së humbjes, Zogaj thekson se LDK-ja duhet të rikthehet në vlerat e saj themelore euro-perëndimore dhe në partneritetin funksional me vendet mike euro-amerikane.
“LDK-ja duhet të jetë manifest i vlerave demokratike euro-perëndimore dhe i partneritetit me aleatët euro-amerikanë. Kjo nuk arrihet me fraza boshe dhe me grumbullime të seleksionuara njerëzish, siç ka ndodhur gjatë dekadës së fundit”, vlerëson ai.
Sipas Zogajt, nga një parti me përbërje solide ideologjike dhe atdhetare, LDK-ja është shndërruar në një strukturë grumbulluese të njerëzve të frustruar, të cilët, sipas tij, shërbejnë vetëm për interesa të ngushta klanore.
“LDK-ja është shndërruar në një parti grumbullimi, ku individë të ardhur nga ‘laboratorë të ndryshëm’ kanë pasur mision spastrimin e rugovizmit”, shprehet analisti.
Ai thekson se situata aktuale është kritike dhe se lidershipi i partisë duhet pa hezitim të marrë përgjegjësinë për humbjen.
“Ka ndodhur ajo që nuk është dashur të ndodhë. Jemi në pikën kritike dhe lidershipi duhet të pranojë përgjegjësinë për humbjen”, thotë Zogaj.
Në fund, ai bën thirrje për reforma të thella strukturore brenda LDK-së, duke kërkuar nisjen urgjente të procesit zgjedhor të brendshëm.
“LDK-ja duhet urgjentisht të krijojë struktura legjitime, nga aktivet deri te Kryesia Qendrore. Këshilli Qendror duhet të nisë menjëherë zgjedhjet e brendshme në degë, me votë të fshehtë, dhe prej tyre të dalë një strukturë e re drejtuese”, përfundon Zogaj.