Të premten, Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli aktgjykimin dënues ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, ngjarje e ndodhur më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Sipas vendimit të gjykatës, Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq janë dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Dushan Maksimoviq është dënuar me 30 vjet burgim. Të tre u shpallën fajtorë për përfshirje në sulmin e armatosur që tronditi veriun e Kosovës dhe u cilësua si akt terrorist nga autoritetet.
Sulmi në Banjskë kishte ndodhur më 24 shtator, kur një grup i armatosur sulmoi Policinë e Kosovës, duke rezultuar në përplasje të ashpra dhe viktima. Rreshteri Afrim Bunjaku humbi jetën gjatë kryerjes së detyrës, duke u shpallur më pas hero i Kosovës.
Kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni, ka deklaruar se Blagoje Spasojeviç, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq janë shpallur fajtorë për ngjarjet e 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.
Arrni ka theksuar se një grup i armatosur ka hyrë ilegalisht nga Serbia në Kosovë, duke bllokuar rrugën me kamionë dhe duke u pozicionuar në mënyrë të organizuar.
“Të akuzuarit, Blagoje Spasojeviç, Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq janë fajtorë.... Sepse me datë 24.09.2023, nga ora 01:00, në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, të akuzuarit Blagoje Spasojeviç, Vladimir Toliç, Dushan Maksimoviç, së bashku me pjesëmarrësit e tjerë të grupit tani të arratisur me role të ndryshme, duke filluar nga roli i bllokimit të rrugës, të trajnuar në mënyrë profesionale, ku pjesa më e madhe e grupit pasi që kanë hyrë në mënyrë të organizuar përmes rrugëve malore ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës, nga Republika e Serbisë, me dhjetëra vetura e disa prej tyre edhe të blinduara, të mbushura me armë të rënda, municion, raketa hedhëse, eksploziv, uniforma të kamufluara ushtarake dhe pajisje logjistike ushtarake, fillimisht kanë bllokuar rrugën tek ura e fshatit me dy kamionë, pastaj janë fshehur dhe kanë zënë pozicionet e tyre dhe pasi që kanë ardhur zyrtarët policorë të Republikës së Kosovës, për të hequr kamionëve dhe liruar rrugën, në atë moment i kanë sulmuar me eksploziv dhe armë të rënda, me ç'rast tek ura e fshatit ka mbetur i vrarë zyrtari policor Afrim Bunjaku”, ka thënë ai.
Gjyqtari Arrni ka deklaruar se veprimet e të akuzuarve kishin për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe dëmtimin e strukturave të saj shtetërore, përmes një plani të organizuar me dhunë dhe armatim të rëndë.
Sipas tij, synohej edhe shkëputja e pjesës veriore të vendit dhe bashkimi i saj me Serbinë.
“E gjithë kjo me qëllim që seriozisht të destabilizojë dhe shkatërrojë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike e shoqërore të Republikës së Kosovës. Përmes këtij plani mirë të organizuar, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe dhe këtë pjesë të territorit t'ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç'rast si rezultat i dhunës së përdorur, ka vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku, ndërsa është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë dhe qytetarëve”, deklaroi gjyqtari Arrni.
Ndërsa, ekspertët e kanë vlerësuar aktgjykimin për rastin “Banjska” si një vendim të rëndësishëm që forcon sundimin e ligjit dhe mesazhin e shtetit ndaj veprave terroriste.
Sipas tyre, dënimet e shqiptuara tregojnë qartë se çdo tentim për cenim të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës do të trajtohet me rreptësinë maksimale të ligjit.
Tutje, theksojnë se ky vendim ndihmon në konsolidimin e institucioneve të drejtësisë dhe në rritjen e besimit publik se aktet e tilla nuk mbeten pa përgjigje.
Po ashtu, ata nënvizojnë se është e rëndësishme që shteti të vazhdojë të forcojë mekanizmat e sigurisë, duke përfshirë edhe trajtimin e formave të luftës hibride dhe aktiviteteve që synojnë destabilizimin e vendit.
Rasti “Banjska”, Jashari: Ligji do të jetë maksimal ndaj shkelësve
Avokati Arbër Jashari ka deklaruar se sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës janë të pacënueshme dhe se çdo tentim për të vepruar ndryshe do të përballet me rreptësinë maksimale të ligjit.
Sipas tij, ky parim është konfirmuar edhe përmes vendimeve të drejtësisë.
“Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacënueshëm. Kushdo që tenton të veprojë ndryshe, do të përballet me rreptësinë maksimale të ligjit”, ka theksuar Jashari.
Ai ka shtuar se aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, në rastin “Banjska”, i shpallur të premten, e ka vërtetuar edhe një herë qëndrueshmërinë e institucioneve të drejtësisë në mbrojtje të rendit kushtetues të vendit.
“Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, në rastin “Banjaka”, e vertetoi të premten, këtë”, ka theksuar ai.
Paralajmërimi i Duhanajt: Spiunazhi pjesë e luftës hibride, kërkon reagim të fortë ligjor
Ndërkaq, analisti politik, Leon Duhanaj, ka potencuar se është e rëndësishme që personat e përfshirë janë arrestuar dhe drejtësia po vihet në vend, edhe pse jeta e policit Bunjaku nuk mund të kthehet.
Ai ka theksuar se shteti ka treguar sukses në mbrojtjen e sovranitetit dhe në ndëshkimin e akteve terroriste.
“Së pari, është tejet e rëndësishme që të paktën këta persona janë zënë dhe që drejtësia, të paktën pjesërisht, po vihet në vend. Natyrisht, jeta e humbur e policit Bunjaku nuk mund të kthehet më, por ka rëndësi që shteti ka pasur sukses në mbrojtjen e sovranitetit, si dhe në zbatimin e sanksioneve për aktet terroriste”, ka thënë ai.
Gjithashtu, ai ka deklaruar se spiunazhi, si pjesë e luftës hibride, duhet trajtuar si akt armiqësor dhe çdo formë e tij, qoftë e brendshme apo e jashtme, duhet konsideruar agresion ndaj shtetit dhe të ndëshkohet me masa të ashpra ligjore.
“Në anën tjetër, kur flasim për agresion të jashtëzakonshëm, duhet theksuar se edhe spiunazhi është pjesë e luftës hibride dhe si i tillë duhet trajtuar si akt armiqësor. Në këtë kontekst, çdo lloj spiunazhi, qoftë nga aktorë të brendshëm apo të jashtëm, duhet të trajtohet si agresion ndaj shtetit dhe të sanksionohet me mjete ligjore të ashpra”, ka vlerësuar Duhanaj.
Në fund, ai ka nënvizuar se në të njëjtën kategori duhet të përfshihen edhe ata që, sipas tij, veprojnë kundër interesave kombëtare, përfshirë individë dhe organizata që agjitojnë me ndikime të huaja dhe dëmtojnë vlerat e kombit.
“Sipas mendimit tim, në të njëjtën kategori duhet të rreshtohen edhe të gjithë ata që agjitojnë kundër interesave kombëtare, në çfarëdo cilësie. Kemi shumë individë dhe organizata që operojnë, shkruajnë, prononcohen dhe agjitojnë me direktiva të huaja, duke fyer vlerat e kombit dhe figurat tona kombëtare.
Një komb që nuk e mbron veten nuk u mbijeton kohërave. Prandaj, për kombin dhe për shtetin, duhet të luftojmë me të gjitha mjetet e nevojshme”, ka përfunduar Duhanaj.