Heidi Klum e ka mbrojtur edhe këtë vit titullin e saj si "mbretëresha e Halloween-it". Supermodelja gjermane, 53 vjeçe, u paraqit të shtunën mbrëmë në festën e saj të 25-të vjetore në Nju Jork e shndërruar në një dorë gjigante, të prerë dhe të përgjakur, kostum që ka pushtuar rrjetet sociale në mbarë botën.
Festa u mbajt në restorantin Cathédrale në lagjen East Village të Manhatanit. Klum mbërriti në tapet e shoqëruar nga një grup ndihmësish të veshur me kostume mbrojtëse të njollosura me gjak, si në një skenë filmi horror.
Kostumi ishte një kopje e saktë e dorës së saj të majtë: me thonj të gjatë të lyer me të kuq, me unazë në gishtin e madh, me unazën e fejesës dhe të martesës, madje edhe me vijat e pëllëmbës dhe venat. Këmbët e saj formonin dy nga gishtat, ndërsa koka ndodhej aty ku duhej të ishte kyçi i dorës, mes ligamenteve dhe tendinave që vareshin të përgjakura. Nga fytyra e saj dukeshin vetëm sytë dhe goja, nga e cila pikonte gjak.
"E shikova dorën time dhe mendova: hej, ndoshta mund ta fus trupin tim brenda saj disi", tregoi Klum për idenë, e cila i kishte lindur qysh vitin e kaluar.
Sipas saj, iu deshën pesë deri në gjashtë orë vetëm për t'u futur në kostum. "Pa diskutim, gjëja më e vështirë është ta mbash. Është mjaft i rëndë", u shpreh ajo para gazetarëve.
Bashkëshorti i saj, muzikanti Tom Kaulitz i grupit Tokio Hotel, këtë vit nuk ishte në festë, sepse ndodhet në turne. Megjithatë, ai nuk mungoi plotësisht: në "gishtin e unazës" të kostumit ishte riprodhuar tatuazhi me emrin e tij. "Një copëz e Tomit është me mua", tha Klum.
Në festë ishin të pranishëm edhe fëmijët e saj, Leni Klum, Johan dhe Lou Samuel, si dhe një sërë të ftuarish të njohur, mes tyre aktori Eric McCormack dhe modelja Valentina Sampaio.
Klum e kishte ndezur kureshtjen e fansave gjatë gjithë javës, duke publikuar në Instagram fotografi nga afër të protezave që i ngjanin organeve dhe indeve të trupit. Qysh në shtator ajo kishte paralajmëruar se kostumi i këtij viti do të ishte "shumë, shumë i përgjakshëm".
Kostumet e saj kanë qenë prej vitesh ndër momentet më të pritura të Halloween-it. Vitin e kaluar ajo u shndërrua në Meduzë me gjarpërinj që lëviznin mbi kokë, ndërsa më herët është paraqitur si E.T., si pallua, si Fiona nga "Shrek", si Jessica Rabbit dhe, ndoshta më e famshmja, si një krimb gjigant në vitin 2022.