Karateistja më e mirë në Kosovë, befason me vendimin e saj

Sporti

Karateistja më e mirë në Kosovë, befason me vendimin e saj

Nga: K.G. Më: 28 gusht 2025 Në ora: 22:44
Fortesa Orana

Karateistja më e mirë në Kosovë, Fortesa Orana, ka befasur me vendimin e fundit të saj.

Orana ka vendosur që të kandidojë për asambleisti në Komunën e Gjilanit në zgjedhjet e 12 tetorit.

Karateistja është pjesë e Vetëvendosjes.

“Unë jam Fortesa Orana dhe qëndroj para jush jo vetëm si kandidate për Asamblenë Komunale të Gjilanit, por si një atlete që për më shumë se njëzet vjet ka jetuar me disiplinën, sakrificën dhe triumfin që sjell sporti.

Jam kampione në karate – medaliste botërore dhe evropiane – dhe diplomuar në Fakultetin e Shkencave Sportive.
Për 20 vite, sporti ka formuar identitetin tim, ka vënë në provë vendosmërinë time dhe më ka mësuar vlerën e bashkësisë, këmbënguljes dhe qëllimit. Kam parë me sytë e mi se si sporti mund të ndryshojë jetë — jo vetëm për atletët që garojnë, por për të gjithë shoqëritë që i mbështesin ata.

Por kam përjetuar edhe vështirësitë e heshtura: nevojat e shpërfillura, zërat e papërfaqësuar dhe politikat që shkruhen pa dëgjimin e atyre që janë çdo ditë në terren.

Pikërisht për këtë arsye jam kandidate — jo vetëm për t’ju përfaqësuar, por për të fuqizuar zërin tuaj. Për t’i bërë të dëgjohen ambiciet, sfidat dhe vizionet tuaja për një të ardhme ku atletët dhe komuniteti i sportistëve të mos neglizhohen, por të mbështeten dhe fuqizohen.

Votoni për mua, numër 21 — që së bashku të mos e luajmë vetëm lojën, por ta ndryshojmë atë”, njofotn Fortesa në profilin e saj në facebook.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat