Gjilani pritet të përfitojë tri investime të reja në infrastrukturën sportive, të cilat synojnë përmirësimin e kushteve për zhvillimin e futbollit në këtë rajon.
Këtë e ka bërë të ditur presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Sipas Ademit, në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit do të realizohen tri projekte, që përfshijnë vendosjen e tapetit të ri sintetik në stadiumin ndihmës të qytetit, vendosjen e tapetit në fushën sportive në Zabelin e Sahit Agës, si dhe shtrimin me bar natyral të fushës në kampin e Dritës.
Këto investime vijnë pas realizimit të projektit të ndriçimit në stadiumin ndihmës të Gjilanit, ku ndeshjet aktualisht i zhvillojnë Drita dhe Gjilani, si dhe klubet dhe shkollat e futbollit të këtij regjioni.
Ademi ka bërë të ditur se synim mbetet edhe ndërtimi i fushave të vogla sportive në lagje dhe pranë shkollave.
“Krahas këtyre projekteve, synojmë edhe ndërtimin e fushave të vogla sportive në lagje dhe pranë shkollave, në mënyrë që sa më shumë fëmijë e të rinj të kenë hapësira për të luajtur futboll. Ne besojmë fuqishëm se investimi në infrastrukturë është investim në të ardhmen e futbollit, andaj qyteti i Gjilanit dhe i gjithë ky regjion meritojnë kushte më të mira për zhvillimin e këtij sporti”, shkroi Ademi.
Ai ka theksuar se bashkëpunimi me komunën, klubet dhe Lidhjen Rajonale të Futbollit të Gjilanit do të vazhdojë edhe në realizimin e projekteve të tjera.