​Legjenda e golfit aksidentohet dhe kapet me substanca

Sporti

​Legjenda e golfit aksidentohet dhe kapet me substanca

Më: 2 prill 2026 Në ora: 20:53
Tiger Woods

Legjenda e golfit, Tiger Woods, ka vendosur të bëjë një pauzë nga karriera profesionale për t'iu përkushtuar rikuperimit të shëndetit, pas incidentit të rëndë automobilistik në Florida.

Fituesi i 15 titujve "Major", i cili aktualisht përballet me akuza ligjore lidhur me drejtimin e mjetit nën ndikimin e substancave, ka marrë leje nga gjykata për të kërkuar trajtim mjekësor jashtë vendit.

Sipas raportimeve të BBC Sport, pavarësisht se nga aksidenti nuk pati të lënduar, autoritetet kanë ngritur akuza për dëmtim prone dhe refuzim të testimeve mjekësore, ndërsa në posedim të tij u gjetën medikamente kundër dhimbjeve

Problemet publike të Woods nisën që në vitin 2009, kur një aksident me makinë jashtë shtëpisë së tij zbuloi një skandal tradhtie bashkëshortore, që u pasua nga pranimi i tij për varësi ndaj seksit dhe pilulave të gjumit. Megjithatë, goditja më e rëndë erdhi në vitin 2017, kur ai u gjet i fjetur pas timonit të makinës së tij në Florida. Në atë kohë, testet toksikologjike treguan praninë e pesë llojeve të ndryshme të barnave në gjakun e tij, përfshirë Vicodin (kundër dhimbjeve) dhe Xanax (për ankthin).

Woods refuzon postin e kapitenit për Ryder Cup 2027

Kjo ndërprerje e detyruar në karrierë ka sjellë edhe pasojat e para në angazhimet e tij zyrtare.

Woods ka konfirmuar refuzimin e rolit si kapiten i ekipit të Shteteve të Bashkuara për turneun "Ryder Cup", që do të zhvillohet në Irlandë në vitin 2027.

Përballë kësaj situate të vështirë, opinioni sportiv ka nisur të diskutojë gjerësisht mbi varësinë që bota e golfit ka pasur ndaj figurës së tij, teksa 50-vjeçari përpiqet të lërë pas këtë periudhë të errët dhe të fokusohet plotësisht në betejën për shëndetin e tij.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat