Ajo e mbylli garën në vendin e dytë.
Përpara saj ishte vetëm një rivale.
Por në podium nuk pati vend për gëzim, sepse mbi të ranë si një ortek më shumë se katër vite luftë. Duke e shtyrë drejt një gjesti që për të ishte i pashmangshëm.
Bëhet fjalë për Sofiia Krainska, 15-vjeçarja që konsiderohet një nga talentet e gjimnastikës ritmike ukrainase.
Gjatë ceremonisë së ndarjes së medaljeve, kur u luajt himni rus për fituesen e garës, Iana Zaikina, Krainska mbuloi fytyrën me duar.
Ngjarja ndodhi në Varna, gjatë garave për junior në Kampionatin Europian të Gjimnastikës Ritmike, ku italiania Flavia Cassano fitoi medaljen e bronztë në ushtrimin me hark. Në garën me shirit, Krainska u rendit e dyta, përpara gjermanes Melissa Diete. Përpara saj ishte vetëm Zaikina, gjithashtu 15 vjeçe.
Sportistët rusë janë lejuar sërish të marrin pjesë në garat e gjimnastikës dhe të konkurrojnë nën flamurin e tyre kombëtar. Por gjatë ceremonisë së medaljeve, sapo dëgjoi himnin rus, Sofiia nuk arriti të përmbahej dhe vendosi duart mbi sy, duke mbuluar fytyrën në shenjë proteste.
Në vitin 2022, Sofiia dhe nëna e saj, Olena, u detyruan të largoheshin nga Ukrainë për t’i shpëtuar sulmeve ruse. Ato gjetën strehim në Milano, ku u pritën nga komuniteti Sant’Egidio.
Gjesti i gjimnastes ukrainase u pa si një qëndrim i fortë publik, por edhe si një shprehje e dhimbjes për atë që ajo, familja e saj, me origjinë nga Kiev dhe vendi i saj po përjetojnë prej më shumë se katër vitesh luftë.