Përzgjedhësja e Zvicrës, Shannon Miller, ka bërë shkurtimin e fundit të listës për Kampionatin Botëror në hokej mbi akull, duke lënë jashtë tri lojtare.
Alizee Aymon dhe Elena Gaberell, të cilat luajnë në mbrojtje, si dhe sulmuesja Jade Surdez, nuk do të jenë pjesë e Zvicrës në Kampionatin Botëror të hokejit mbi akull për femra, që do të zhvillohet në Danimarkë.
Përzgjedhësja Shannon Miller ka vendosur t'i largojë tri lojtaret nga lista përfundimtare e ekipit.
Në këtë mënyrë, Zvicra do të udhëtojë drejt Danimarkës me 25 lojtare: tri portiere, tetë mbrojtëse dhe 14 sulmuese.
Para ndeshjes hapëse kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të premten, zviceranet do t'i zhvillojnë edhe dy seanca stërvitore të hënën dhe të martën në Sodertalje të Suedisë.
Të mërkurën, zviceranet do të udhëtojnë drejt Danimarkës, ku do të zhvillohen ndeshjet e Botërorit në qytetet Herning dhe Esbjerg.