Shqipëria nuk ngrihet në Botëror

Sporti

Shqipëria nuk ngrihet në Botëror

Më: 4 nëntor 2026 Në ora: 11:39
Shtangisti Ertjan Kofsha

Në Ningbo të Kinës, kombëtarja shqiptare po zhvillon një prej paraqitjeve të saj më të dobëta në historinë e saj në kampionatet botërore të peshëngritjes.

Ekipi kuqezi ka udhëtuar me katër shtangistë në këtë event, por nuk po arrin të lërë gjurmë, duke zhvilluar një kompeticion anonim.

I pari që ngriti “flamurin e bardhë” ishte Briken Calja, i cili u deklarua i dëmtuar një ditë para garës në Baterinë C për peshat 75 kg, duke njoftuar kështu tërheqjen nga Botërori.

Ndërkohë, në të njëjtën kategori peshe provoi forcat Erkand Qerimaj. 38-vjeçari kuqezi, sportisti me moshën më të madhe në këtë aktivitet, nuk arriti që ta kalonte me sukses garën e tij. Qerimaj dështoi tri provat në stilin e shkëputjes me peshën 147 kg, duke mos arritur që të klasifikohej në dygarësh.

Më tej, e marta pa në pedanë Enkileda Carjen, talentin më premtues të peshëngritjes shqiptare, e cila tashmë mat forcat në radhët e të rriturave. Carja ishte shumë larg pozicioneve të kreut në kategorinë e peshave 69 kg. Ajo zuri vendin e 19-të në shkëputje me 102 kg, ndërsa u klasifikua e 28-ta në shtytje me rezultatin 121 kg. Ndërkohë, me 223 kg në total, Carja e përfundoi dygarëshin në vendin e 20-të.

Tashmë, i fundit kuqezi në garë mbetet Ertjan Kofsha. Shtangisti i Shtërmenit garon mëngjesin e së mërkurës (ora 08:30) në Baterinë C të kategorisë së peshave 95 kg.

Kështu, Shqipëria mbetet me sytë nga Kofsha, por pritshmëritë për zonën e medaljeve nuk janë aspak të larta, me Kombëtaren e shtangës që nuk po arrin të ndezë në këtë Kampionat Botëror.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat