Nadal barazon rekordin e Federerit

Tenis

Nadal barazon rekordin e Federerit

Më: 1 janar 2021 Në ora: 17:09
Rafael Nadal

Tenisti spanjoll ka triumfuar në French Open për ta fituar Grand Slamin e 20-të në karrierë

Rafael Nadal në vitin 2020 ka hyrë në mesin e legjendave të tenisit.

Spanjolli ka triumfuar në turneun e madh të tenisit, French Open, për ta fituar Grand Slamin e 20-të në karrierë.

Me këtë rast, tenisti nga Madridi e barazoi rekordin e Roger Federerit, të cilin tenisti zviceran e mbante qe disa vite.

Nadal e mposhti në finale serbin Novak Djokovic me rezultat të pastër, 3:0 në sete, 6:0, 6-2 e 7-5.

Me këtë rast, 34 vjeçari e theu rekordin e tij pasi fitoi Roland Garrosin për herë të 13-të në karrierë, duke u bërë mbret i fushës me rërë.

Fituesi i trefishtë radhazi e fitoi French Open pa e humbur asnjë set në këtë turne dhe këtë e bëri për herë të katërt në karrierë.

Nadal po ashtu u bë lojtari i parë që i fiton 100 e më shumë meçe në turneun francez, derisa Federer e kishte arritur një gjë të tillë ne Australian Open dhe Wimbledon.

E në konkurrencën e femrave, Iga Swiatek u bë polakja e parë që e fiton një Grand Slam.

Ajo e mposhti në finale tenisten Sofia Kenin 2-0 në sete, 6-4 e 6-1 për ta mbyllur turneun në mënyrë brilante pa e humbur asnjë set.

French Open ishte paraparë të mbahej në muajin maj, por për shkak të pandemisë COVID-19 ishte shtyrë për muajin tetor, kur edhe ishte mbajtur.

E në fillim të vitit ishte mbajtur turneu tjetër i madh i tenisit, Australian Open.

Në mes të muajve janar dhe shkurt u mbajt turneu i parë i vitit.

Novak Djokovic e fitoi Grand Slamin e Australisë.

32 vjeçari e mposhti në finale kundërshtarin Dominic Thiem 3-2 në sete, 6-4, 4-6, 2-6, 6-3 e 6-4 në një finale epike në “Melbourne’s Rod Laver Arena”.

Me këtë rast, tenisti serb e fitoi Grand Slamin e 17-të në karrierë.

Në konkurrencën e femrave, edicionin e 108-të të Australian Open e fitoi Sofia Kenin.

Numri 14 në botë e fitoi Grand Slamin e parë në karrierë pasi në finale e mposhti numrin 1 në botë, Garbine Muguruza me rikthim sensacional, 2:1 në sete, 4-6, 6-2, 6-2.

Kenin u bë tenistja më e re amerikane, që prej Serena Williamsit në vitin 2002, që e fiton një turne të madh të tenisit.

Një tjetër sensacion në vitin 2020 ishte edhe Dominic Thiem.

Pasi dështoi në finale të Australian Open, tenisti austriak e fitoi Grand Slamin e parë në karrierë pasi triumfoi në US Open.

Në finalen e çmendur dhe me përplot emocione, 27 vjeçari e mposhti tenistin Alexander Zverev 3-2 në sete, 2-6 4-6 6-4 6-3 e 7-6.

Thiem u bë tenisti i parë që e fiton një Grand Slam duke e rikthyer disavantazhin prej dy setesh, që kur Gaston Gaudio e fitonte French Open në vitin 2004 në të njëjtën mënyrë.

Në konkurrencën e femrave, US Open u fitua nga Naomi Osaka.

Ajo e fitoi Grand Slamin e tretë në karrierë pasi në finale e mposhti Victoria Azarenkan, 2-1 në sete, 1–6, 6–3 e 6–3.

E turneu tjetër i madh i tenisit, Wimbledon është anuluar në vitin 2020 për shkak të koronavirusit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat