Ylli i tenisit akuzon ish-Zëvendëskryeministrin për sulm seksual

Tenis

Ylli i tenisit akuzon ish-Zëvendëskryeministrin për sulm seksual

Më: 4 nëntor 2021 Në ora: 20:32
Peng Shuai

Autoritetet kineze kanë zhdukur pothuajse të gjitha debatet në internet lidhur me akuzat nga një yll profesional i sportit të tenisit për sulm seksual nga një ish-zyrtar i lartë i qeverisë. Veprimi tregon se sa e ndjeshme është Partia Komuniste në pushtet ndaj akuzave të tilla.

Në një shkrim të gjatë në rrjetet sociale, që u zhduk shpejt, Peng Shuai u shpreh se Zhang Gaoli, një ish-Zëvendëskryeministër dhe anëtar i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike, e kishte detyruar atë të bënte seks, pavarësisht refuzimeve të përsëritura nga ajo, pas një raundi tenisi tre vjet më parë. Në shkrimin e saj ajo tregonte se shtatë vjet më parë ata kishin kryer marrëdhënie seksuale një herë, dhe pas kësaj ajo kishte filluar të kishte ndjenja për të.

Peng ka qënë sportiste e rangut të lartë në formacionin me dy lojtare, duke fituar 23 tituj, përfshirë “Grand Slams” në Wimbledon në vitin 2013 dhe “French Open” në vitin 2014.

Agjencia e lajmeve Associated Press nuk mundi të verifikonte vërtetësinë e postimit të saj, i cili u bë vonë të martën në mbrëmje nga llogaria e saj e verifikuar në Weibo, një platformë kryesore e mediave sociale kineze. Postimi u hoq me shpejtësi dhe një kërkim në Weibo për llogarinë e sportistes Peng tani nuk rezulton në asnjë rezultat. As ajo dhe as Zhang nuk mund të kontaktoheshin për të komentuar.

Kjo është akuza e parë kundër një zyrtari të lartë qeveritar që kur lëvizja #MeToo u përhap në Kinë në vitin 2018, përpara se të shtypej kryesisht nga autoritetet po atë vit. Akuza të tilla të mëparshme kanë qënë të kufizuara në media, grupet e veprimit dhe tek akademikët.

Reagimi i Partisë Komuniste ilustron vendosmërinë e saj për të kontrolluar debatin publik dhe për të frenuar lëvizjet shoqërore për të cilat nuk ka siguri për t’i kontrolluar. Ndërsa mediat sociale janë përhapur në Kinë, ato mbeten nën kontrollin e fortë të partisë.

Foto të postimit të sportistes kanë qarkulluar në rrjetin Twitter, i cili është i bllokuar në Kinë, duke rigjallëruar diskutimin në atë platformë mbi marrëdhëniet gjinore në Kinë, ku burrat dominojnë nivelet më të larta në politikë dhe biznes.

Në postim e saj, 35-vjeçarja Peng shkroi se Zhang, tani 75 vjeç, dhe gruaja e tij kishin shkuar të luanin tenis me të në Pekin rreth tre vjet më parë dhe se ai më vonë, e çoi atë në një dhomë në shtëpinë e tij ku ndodhi sulmi.

“Isha kaq e frikësuar atë pasdite, dhe kurrë nuk kam menduar se kjo gjë mund të ndodhte”, thuhet në shkrimin e saj.

Thashetheme dhe njoftime jashtë Kinës mbi marrëdhëniet midis grave më të reja dhe zyrtarëve të lartë, prej kohësh kanë qënë sinonim i politikës kineze, duke filluar që nga themeluesi i Republikës Popullore, Mao Ce Dun.

Çështjet e ngritura kundër zyrtarëve aktualë dhe ish-zyrtarëve gjatë udhëheqjes dhjetëvjeçare të Presidentit Xi Jinping dhe fushatës kundër korrupsionit, shpesh përmbajnë akuza për "mënyrë jetese të turpshme", të shoqërura me ryshfete dhe abuzimin me pushtetin.

Zhang doli në pension në vitin 2018 dhe është zhdukur nga jeta publike, siç ndodh zakonisht me ish-zyrtarët kinezë.

Partia Komuniste ka shtuar gjithnjë e më shumë shtypjen e shoqërisë civile, përfshirë lëvizjen #MeToo që është përpjekur të fitojë mbështetje në vend./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat