Australia ia anulon sërish vizën Gjokoviqit

Tenis

Australia ia anulon sërish vizën Gjokoviqit

Më: 14 janar 2022 Në ora: 08:14
Tenisti serb, Novak Gjokoviq

Australia ia ka anuluar vizën tenistit serb, Novak Gjokoviq për të dytën herë me radhë.

Vendimi i ministrit për Migrim të Australisë, Alex Hawke nënkupton se tani Gjokoviq përballet me dëmbim nga shteti.

Megjithatë, tenisti 34-vjeçar ende mund ta apelojë vendimin për të qëndruar në Australi.

Tenisti numër një në botë në kategorinë e meshkujve ishte paraparë që të luante në turneun Australian Open, që nisi të hënën.

Fillimisht Gjokoviqit i ishte anuluar viza pasi arriti në Melbërn më 6 janar. Autoritetet kufitare gjetën se ai kishte “dështuar që të ofronte të dhëna të duhura” për një përjashtim mjekësor, që i mundësonte t’i shmangej rregullave për koronavirus.

Në Australi ka pasur zemërim të madh të publikut, pasi ky shtet ka pasur disa nga rregullat më strikte kundër pandemisë.

Gjokoviqi ishte ndaluar dhe kishte qëndruar për disa orë në aeroport ku kishte kaluar në kontrollet e migracionit. Më pas ai qëndroi disa ditë në një hotel të shndërruar në qendër për migrantë.

Disa ditë më vonë, një gjykatës hodhi poshtë vendimin e autoriteteve për anulimin e vizës dhe urdhëroi lirimin e tij, duke thënë në vendim se zyrtarët kufitarë kishin injoruar procedurat gjatë arritjes së Gjokoviqit në Australi.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat