Kurti mori pjesë në përmbylljen e Festivalit të Tenisit 2022

Tenis

Kurti mori pjesë në përmbylljen e Festivalit të Tenisit 2022

Më: 31 maj 2022 Në ora: 17:36
Abin Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në përmbylljen e Festivalit të Tenisit për vitin 2022, aktivitet ky i organizuar nga Federata e Tenisit dhe e përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Para të pranishmëve, kryeministri Kurti tha se tenisi është një ndër sportet më të bukura dhe më të shëndetshme, si për t’u luajtur, por edhe për t’u shikuar. Andaj është ndjenjë e mrekullueshme për mua që t’ju shoh të gjithëve bashkë dhe të gatshëm për të luajtur tenis, shtoi ai.

Kryeministri Kurti rikujtoi se edhe ai ka luajtur tenis dhe se ka përcjellë yjet e mëhershme të tenisit, mirëpo ka thënë se kushtet tani janë shumë më të mira sesa atëherë kur improvizonin fushë tenisi në lagjen “Aktashi”.

“Aktiviteti fizik dhe sporti kanë rol kyç në zhvillimin e shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të gjeneratave të reja. Përmes tyre krijojnë qëllime dhe marrëdhënie të shkëlqyeshme shoqërore, bëhemi shoqe e shokë me njëri-tjetrin, përkujdesemi për mirëqenien fizike, mendore dhe emocionale të të gjithë fëmijëve tanë”, tha kryeministri Kurti.

Duke folur për rolin edukativ të sportit, ai theksoi se jeta është një seri e fitoreve dhe e humbjeve, por sporti është mënyra më e mirë përmes së cilës njerëzit mësojnë se si të jenë modest kur fitojnë, e po ashtu të jenë me dinjitet edhe atëherë kur humbin.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Të dashur fëmijë,

I nderuari Kryetar i Federatës së tenisit të Kosovës, z.Jeton Hadërgjonaj,

I nderuari President i Komitetit Olimpik të Kosovës, z.Ismet Krasniqi,

I nderuari Ministër i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z.Hajrulla Çeku,

I nderuari Nënkryetar i Komunës së Prishtinës, z.Alban Zogaj,

Të nderuar prindër dhe mësues e arsimtarë,

Edhe njëherë të dashur fëmijë,

Është kënaqësi e veçantë e imja që të jem këtu sot në mesin tuaj dhe bashkërisht ta bëjmë përmbylljen e Festivalit të Tenisit për vitin 2022.

Tenisi është një ndër sportet më të bukura dhe më të shëndetshme, si për tu luajtur, por po ashtu edhe për tu shikuar.

Edhe unë kur kam qenë në moshë më të re kam luajtur tenis, e mbaj mend që në lagjen “Aktashi”, në lagjen time të fëmijërisë, tenisin na e pat sjellë Arben Islami, i cili e pashë që ndodhet këtu në mesin tonë sot dhe ajo ka qenë koha, kur ndeshjet nuk kanë qenë me emra sikurse të këtyre që janë sonte. E mbaj mend se atëherë ndesheshin Boris Becker me Ivan Lendl, e pas asaj ne kemi luajtur e shikuar deri diku te Andre Agassi me Pete Sampras, e mandej na ka humbur lidhja diku, por pse jo të mos rikthehemi edhe në këtë moshën tonë të mesme, se plak më nuk është askush dhe bashkërisht me juve, ta përkujtojmë e ta rijetojmë atë moshë kur sporti, shëndeti, rinia, kanë qenë bashkë.

Ky aktivitet i organizuar nga Federata e Tenisit dhe e përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka për qëllim promovimin e sportit të tenisit tek fëmijët e moshave të reja dhe është iniciativë e cila ndikon direkt në masivizimin e pjesëmarrjes në aktivitet fizik, andaj është ndjenjë e mrekullueshme për mua që t’ju shoh të gjithëve bashkë dhe të gatshëm për të luajtur tenis.

Aktiviteti fizik dhe sporti kanë rol kyç në zhvillimin e shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të gjeneratave të reja, përmes tyre krijojnë qëllime dhe marrëdhënie të shkëlqyeshme shoqërore, bëhemi shoqe e shokë me njëri-tjetrin, përkujdesemi për mirëqenien fizike, mendore dhe emocionale të të gjithë fëmijëve tanë.

Të nderuar prindër dhe mësues, e arsimtarë,

Jeta është një seri e fitoreve dhe e humbjeve, por sporti është mënyra më e mirë përmes së cilës njerëzit mësojnë se si të jenë modest kur fitojnë, e po ashtu të jenë me dinjitet edhe atëherë kur humbin.

Sporti ndërton unitet ndërmjet njerëzve, edhe kur ata mund të mos kenë asgjë tjetër të përbashkët përveç dashurisë për lojën apo për sportin të cilin e luajnë.

Andaj, bashkërisht le të sigurohemi që të gjithë, pa dallime etnike apo socio-ekonomike, nga të gjitha moshat, nga të vegjlit deri te më të rriturit pavarësisht a jetojnë në qytet apo në zona më të largëta rurale të jenë aktiv në sport dhe të shijojnë e të ndjekin më shumë sportin e ngjarjet sportive.

Në veçanti, duhet t’i ndihmojmë ata të cilët janë më të varfër e të cilëve mbase më vështirë ju zbulohet talenti që e kanë për sport, sepse fëmijët që vijnë nga familjet më të pasura mbase edhe më kollaj e zbulojnë dhe ushqejnë talentin e tyre.

Është nevojë e secilit prej nesh që të njoftojmë miq të ri, të krijojmë shoqëri të reja dhe të kalojmë kohë të frytshme me ta. Këto ndërveprime sociale me miqtë tuaj, që do t’i përjetoni gjatë ditës së sotme, ofrojnë përkatësi dhe lumturi.

Unë e di që nuk kemi terrene të mjaftueshme të mbyllura, siç tha kryetari i federatës më herët, mirëpo do të përpiqemi të shkojmë drejt asaj gjendje kur do të mund të luajmë tenis edhe nëse bie shi, në ndërkohë sot e kemi ditë të mirë me diell.

E unë e kujtoj kohën time, kur Arben Islami dhe të tjerët në lagjen ‘Aktashi’, improvizonin një fushë teksa përpiqeshim që të kalojmë prej atyre reketave ‘Smasher’ te ato ‘Fischer’, e mandej te ato ‘Spalding’. Sot është gjendja shumë më e mirë, por natyrisht që nuk duhet të kënaqemi me këtë që kemi, sepse edhe duhet, edhe mundemi më shumë.

Uroj që të gjithë që jeni sot këtu të kënaqeni me aktivitetet e ditës së sotme e të vazhdoni të merreni rregullisht me sportin e tenisit apo me çfarëdo sporti tjetër. Siç e thotë një fjalë e urtë antike “Edhe mendja e shëndoshë në trupin e shëndoshë”.

Ju faleminderit të gjithëve, e ju dëshiroj shumë suksese.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat