Nadal: E di që kam pak kohë në dispozicion

Tenis

Nadal: E di që kam pak kohë në dispozicion

Më: 25 dhjetor 2022 Në ora: 17:55
Nadal

“Australian Open mbetet objektivi i parë për vitin 2023, por njëkohësisht dua të rifitoj ritmin e duhur të fazës përgatitore”. Janë këto fjalët e tenistit spanjoll Rafael Nadal për të përditshmen “AS”, që e ka cilësuar tenistin si sportistin më të mirë spanjoll të vitit 2022. Ky është një çmim që Nadal e merr për të gjashtën herë në karrierën e tij.

Numri 2 në botë, ka sqaruar më tej: “Përpiqem të bëj më të mirën për të luajtur në nivele të larta sa më gjatë të jetë e mundur. Të shohim se si do të nisi viti i ri, por jam i vetëdijshëm se kam pak kohë në dispozicion. Gjithsesi, kam besim se mund të arrij në nivelin që dëshiroj për të qenë kompetitiv në Australi. Të shohim”.

“Në sport gjërat evoluojnë shpejt, por kam iluzionin se do të kem një tjetër vit pozitiv, me mundësinë për të dueluar sërish në nivele të larta. E di që kam një moshë të madhe, por do të përpiqem ta menaxhoj këtë gjë sa më mirë. Roland Garros? Nuk e di nëse do të jem sërish protagonist aty, por të shohim, pasi ka ende kohë”, u shprej Nadal.

“Nuk kam vënë kurë bast për veten time. Ajo që shpresoj është të arrij në këto turne i përgatitur sa më mirë, në shëndet të plotë dhe të kem mundësi të përballem për fitore. Se çfarë do të japë fusha nuk e di”, tha Nadal, që këtë vit fitoi në Australian Open e Roland Garros, duke arritur në kuotën e 22 grand slam të fituara në karrierë.

“Deri në momentin që u dëmtova në brinjë, në Indian Wells, këtë vit s’kisha humbur asnjë ndeshje. Më pas, me një përgatitje jo shumë të mirë arrita të fitoj në Roland Garros, duke më dhënë shtysë edhe për në Wimbledon, ku u tërhoqa i dëmtuar, pasi e kisha të pamundur të luaja më. Jam 36 vjeç dhe fitova dy grand slam, ndaj mendoj se ka qenë një vit pozitiv”, rrëfehet Nadal.

Në fund, një mesazh edhe për mikun e tij Roger Federer. Së bashku ata luajtën në ndeshjen e fundit në karrierë të zviceranit. “Ishte momenti i tij, pasi i dha lamtumirën sportit një nga ikonat e tenisit dhe sportit botëror. E ndjeva shumë atë lamtumirë, u mallëngjeva, pasi e përjetova atë moment si rival, si shok skuadre por edhe si tifoz. E vështirë të mos emocionohesh kur i jep lamtumirën sportit një si Federer. Tani po shijon jetën e tij, flasim shpesh e kemi një marrëdhënie të mirë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat