“Australian Open”, mungon edhe Osaka

Tenis

“Australian Open”, mungon edhe Osaka

Më: 8 janar 2023 Në ora: 18:22
Osaka

Kampionia e dyfishtë, Naomi Osaka, nuk do të marrë pjesë në Turneun e Hapur Australian të tenisit, “Australian Open”, raporton rrjeti prestigjioz BBC.

Osaka ka njoftuar për tërheqjen vetëm 8 ditë para fillimit të turneut. Fituese e “Australian Open” në vitin 2019 dhe 2021, ajo nuk ka luajtur në asnjë turne të “WTA Tour” që nga shtatori dhe ka zbritur në vendin e 42-të në renditjen botërore të tenisit. Nuk është dhënë arsye për tërheqjen e japonezes 25-vjeçare nga “Australian Open”.

Organizatorët e kanë vendosur në vend të saj ukrainasen Dajana Jastremska. Osaka nuk ka qenë aktive kohët e fundit në turnetë e tenisit. Ajo nuk ka luajtur asnjë ndeshje prej 4 muajsh, duke dhënë shumë pak tregues nëse po përgatitej apo jo për “Australian Open”.

Ajo ka postuar së fundi në rrjetet sociale një seri fotosh nga pushimet në Evropë me të dashurin e saj. Një tregues i dytë se ajo nuk është ende gati për në Australi u shfaq në Instagramin e saj me fotot e bëra në një studio në Los Angeles, vetëm pak net më parë.

Osaka është tenistja e radhës e famshme që mungon në “Australian Open”. Është tërhequr gjithashtu edhe 42-vjeçarja Venus Uilliams, si dhe tenisti numër një në botë, spanjolli Karlos Alkaraz.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat