Në Tiranë po zhvillohet Kursi për Trajnerë të Volejbollit – Niveli II FIVB, i organizuar nga Federata Shqiptare e Volejbollit, në bashkëpunim me Federatën Botërore të Volejbollit (FIVB) dhe me mbështetjen e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH).
Ky kurs pesëditor (12-16 maj 2025) synon zhvillimin profesional të trajnerëve nga Shqipëria, përmes ndarjes së njohurive dhe përvojave nga skena ndërkombëtare.
Instruktor i këtij kursi është z. Valon Nikqi, një nga kuadrot profesionale të volejbollit të Kosovës dhe instruktor i licencuar nga FIVB, i cili po jep një kontribut të çmuar në formimin e trajnerëve të rinj në nivel rajonal.
Pjesëmarrja e Valon Nikqit si instruktor në këtë kurs dëshmon përkushtimin dhe kapacitetin e Federatës së Volejbollit të Kosovës për të ndërtuar një sistem të qëndrueshëm të edukimit të trajnerëve.
Me kuadro tashmë të licencuar nga FIVB, Kosova është në rrugën e duhur për të përgatitur trajnerët e së ardhmes sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.
Kjo është një arritje e rëndësishme për volejbollin e Kosovës dhe një tregues se vendi ynë jo vetëm që po ndjek hapat e zhvillimit të brendshëm, por po kontribuon aktivisht edhe në ngritjen e nivelit profesional të volejbollit në të gjithë rajonin.