Superliga e volejbollit të femrave ka hapur dje javën e dytë me dy takime tepër interesante.
Sfida e parë e ditës ishte derbi i kryeqytetit ndërmjet Dinamos dhe Partizanit në sallën “Feti Borova”.Vajzat blu nuk falën dhe dolën nga kjo ndeshje me fitoren e pastër 3-0, duke treguar një provë force. Derbi u vendos për 1 orë e 28 minuta lojë në favor të skuadrës së Orlando Koja. Dinamo e nisi me ritëm të lartë, duke i dhënë mesazh që në start kundështarit, për ta marrë setin e parë thellë, 25-15.
Blutë e kontrolluan pa shumë probleme edhe të dytin, duke fituar 25-20. Të kuqet e Andi Lundrës, të cilat në javën e parë kishin vendosur në vështirësi të mëdha një ekip prendent si Tirana, provuan të reagonin në setin e tretë.
Megjitatë, edhe një herë tjetër kualiteti i Dinamos bëri diferencën, ndërsa Elena Bego u bë protagoniste e “match point”-it, duke fiksuar shifrat e setit 25-23.
Braziliania Nayara Goulart me 18 pikë, Elena Bego me 16 dhe rusja Anastasiia Atepalina me 10 pikë, spikatën në sulmin e Dinamos. Për Partizanin shënuesja më e mirë ishte Joana Kushi, me 10 pikë. Me suksesin në derbi, Dinamo merr menjëherë e vetme kreun e tabelës, me pikë të plota.
Një betejë e vertëtë rezultoi derbi i juglindjes ndërmjet Skënderbeut dhe Pogradecit. Liqenoret triumfuan në Korçë me rezultatin 2-3, pas një sfide që zgjati 2 orë e 14 minuta. Skënderbeu e filloi mirë, duke fituar setin e parë 25-18, për më pas skuadra mike, e drejtuar nga trajneri Bensik Lisha, mori dy setet e radhës, 23-25 dhe 15-25.
Korçaret rikthyen ekuilibrat, duke marë setin e katërt 25-19, por më pas seti final foli për liqenoret, të cilat triumfuan bindshëm 9-15, duke e mbyllur me festë. Kennedy Stanford me 23 pikë, Kejda Kodra me 17 si dhe Paola Gjata me 12, shkëlqyen në sulmin pogradecar. Për vendëset s’mjaftuan Ester Ribeiro dhe Balinhas Da Silva, me nga 21 pikë secila.