Përderisa Kombëtaret e Kosovës po e përfaqësojnë vendin në parket, volejbolli po vazhdon të ketë përfaqësim edhe në aspektin organizativ në arenën ndërkombëtare.
Valon Nikqi, është i angazhuar në cilësinë e Supervizorit të CEV Volleyball European League, në turneun e meshkujve që po zhvillohet në Strumicë të Maqedonisë së Veriut.
Ky turne organizohet nga Izraeli, i cili për shkak të situatës aktuale nuk ka pasur mundësi t’i zhvillojë ndeshjet në vendin e vet, duke e zhvendosur organizimin në Strumicë.
Nga dita e premte e deri sot, të dielën, Nikqi ka monitoruar nga afër zhvillimin e të gjitha takimeve, duke u kujdesur për mbarëvajtjen organizative dhe zbatimin e standardeve të përcaktuara nga CEV.
Në këtë turne, përveç Izraelit, po marrin pjesë edhe Suedia dhe Norvegjia, në konkurrencën e meshkujve.