​Tjetër vit i suksesshëm për xhudon, Kuka: Shkëlqyen Distria dhe Laura

Xhudo

​Tjetër vit i suksesshëm për xhudon, Kuka: Shkëlqyen Distria dhe Laura

Më: 1 janar 2023 Në ora: 11:48
Driton Kuka

Edhe në vitin 2022, ashtu sikur edhe vitet paraprake, Kosova vazhdoi të korrë suksese të jashtëzakonshme në sportin e xhudos. Medalje të arta e të argjendta i siguruan nga Kampionati Botëror e ai Evropian, duke kulmuar në muajin dhjetor me suksesin e madh në Mastersin e Xhudos, ku Distria Krasniqi fitoi medaljen e artë, kurse Laura Fazliu atë të argjendtën.

Njeriu, emri i të cilit lidhet ngushtë me këto suksese, Driton Kuka në intervistë për KosovaPress, tregon për sfidat në rrugëtimin gjatë vitit të kaluar dhe prtishmëritë për vitin e ri.

Për xhudisten e re Laura Fazliu, trajneri Driton Kuka thotë se do të jetë rival i fortë për të gjithë kundërshtarët në të gjitha garat ku do të marrë pjesë.

Kuka: Distria dhe Laura shkëlqyen në vitin 2022

“Viti 2022 ka filluar me disa probleme në ekip të trashëguara nga e kaluara për shkak të lëndimeve që i kemi pasur para Lojërave Olimpike edhe normalisht siç është zakon, pas Lojërave Olimpike, pjesa e rikuperimit të secilit sportist veç e veç është një gjë me të cilën ne merremi seriozisht... E vetmja që nuk është ndalur edhe pas Lojërave Olimpike është Distria dhe kjo faktikisht i është shpaguar sepse ajo ka dashur të shkëlqejë edhe në kategorinë 52 kilogramë siç ka shkëlqyer në 48 kilogramë sepse ajo e ka ndërruar kategorinë edhe e ka kuptuar seriozitetin e ndërrimit të kategorisë... Ajo e cila e ka karakterizuar vitin 2022 është Laura Fazliu, emër i ri në konkurrencën e të rriturve, nënkampione evropiane për të rritura. Në këtë pjesën e kualifikimit olimpik ka pasur ngecje, mirëpo në fund të vitit në masters ajo shkoi deri në finale, mposhti garuese që janë ndër më të mira në botë dhe u paralajmërua si njëra ndër garueset që do të jetë normalisht për plasman dhe medalje në Lojërat Olimpike”, deklaroi Kuka.

Kuka pranon se është jashtëzakonisht e vështirë që të mbahet motivimi tek xhudistët kur ata prekin majat dhe fitojnë të gjitha medalje që mund t’i fitojë një xhudist elitar

Kuka: Nuk është e lehtë të mbahet motivi te garueset pas fitimit të medaljeve

“Pas fitimit të medaljeve të arta olimpike, sidomos me Disrtinë dhe Norën nuk ka qenë lehtë për të mbajtur motivin. Distria e ka gjetur motivin në ndërrimin e kategorisë, sfidë e re, ndërsa Nora ka vazhduar të stërvitet seriozisht. E thash më herët që ka pasur një operim, por pas kthimit nga operimi me të vërtetë është shumë e motivuar dhe po vazhdon të punojë seriozisht edhe medaljet e tyre flasin shumë... Normalisht që në Kosovë është krijuar një opinion që këto garueset tona ku të lajmërohen duhet të fitojnë medalje të arta, kjo nuk qëndron me vet faktin që në masters marrin pjesë vetëm ata që janë 36 të parët në ranglistën botërore, kjo flet shumë”, theksoi Kuka.

Trajneri i përfaqësueses së Kosovës nuk ka asnjë dyshim për të ardhmen e ndritur të xhudos, derisa zbulon emrat për të cilët është i bindur se do të shpërthejnë në vitet e ardhshme.

Kuka: Këta janë emrat e rinj që do të sjellin suksese të reja në xhudo

“Viti 2022 e ka vënë në pah një emër të ri për të rinjtë, Dardan Cena i cili ka ardhur nga qyteti i Prishtinës të jetojë në Pejë për shkak të sportit.. Është bërë i treti në Kampionatin Evropian U21 që është një garë jashtëzakonisht e fortë, sidomos në kategorinë 73 kilogramë. Shpati është aty, Erza, Fatjona, Flaka, Eriosi, ka edhe shumë garues të tjerë për të cilët do të dëgjohet shumë shpejtë edhe të cilët edhe të cilët janë në pritje të ardhjes në nivele të larta”, shtoi më tutje Kuka.

Ndërsa flet për të rinjtë, Kuka i paralajmëron ata se askush nuk mund të dalë jashtë rregullave të tij të punës. Ai thekson se rrjetet sociale janë bërë problem serioz në menaxhimin e tyre.

Kuka: Rrjetet sociale problem serioz për të rinjtë

“Në raste të caktuara ka garues dhe garuese të cilat shprehin dëshira jashtë rrugëtimit që unë e vizatoj ose e shkruaj. Normalisht ne si Kosovë e kemi një të veçantë, duhet të punojmë shumë për të qëndruar në trend me ekipet më të forta në botë. Kjo na ka sjellë deri te sukseset, ne nuk mund ta ndërrojmë, së paku unë derisa jam trajner, nuk mundem ta ndërroj këtë rrugë, këtë rrugëtim, këtë përkushtim sepse mandej vjen menjëherë po bien rezultatet. Për këtë arsye unë edhe publikisht shpesh i shprehi mendimet e mia, jo vetëm për garuesit e mi por për të dhënë shembull... Rinia duhet të jetë e shëndoshë, të merret me sport, me edukim. Tashmë trendi më i madh i rinisë në Kosovë janë bërë rrjetet sociale e jo libri, kështu që e gjitha kjo mua më bënë skeptik që duhet ndërruar diçka rrënjësisht, jo vetëm në sport, por në çdo dimension të jetës në Kosovë sepse e ardhmja e vendit janë të rinjtë e vendit”, u shpreh Kuka.

Majlinda Kelmendi tashmë është bërë krahu i djathtë i Kukës në përgatitjen e xhudistëve të rinj. Sipas Kukës, ajo tashmë ka një rol kyç në stërvitje dhe në suksesin që Kosova po i arrin në arenën ndërkombëtare.

Kuka: Roli i Majlinda Kelmendit si trajnere, i jashtëzakonshëm në zhvillimin e xhudos

“Majlinda dhe Fatosi janë trajner në teren. Programin, rrugëtimin, trurin e sistemi stërvitor normal që e kemi tani e sa vite të ndërtuar edhe funksionojmë në atë formë, por tani, siç e thash edhe më herët, 25-30 vetë unë nuk kam mundur të bëjë më shumë se 5 deri në 10 veta që kanë nivel. Do të thotë numri pothuajse është trefishuar dhe kjo tregon për rolin e madh të Majlindës afër meje e Fatosit edhe po besoj që pas Parisit 2020/24 ndoshta edhe dikush prej garuesve do të ndalojë me garimin si sportist do t’i ofrohet. Unë mendoj që në Kosovë ka shumë hapësirë për trajner dhe në kuadër të kësaj edhe projekti ‘Judo Nation’ është një projekt voluminoz, një projekt i cili po jep frytet e para dhe i cili parasheh edhe buxhetimin e trajnerëve nëpër klube.”, theksoi Kuka.

Derisa fokusi kryesor është tek Lojërat Olimpike “Parisi 2024”, Kuka kërkon suksese e medalje të tjera edhe gjatë vitit 2023, me kusht që xhudistët të mos pësojnë lëndime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat