Kosova ka fituar dy medalje të bronzta në Kupën Evropiane për Kadet, që po mbahet në Selanik të Greqisë, falë paraqitjeve të xhudisteve Arba Hasanaj dhe Elvira Ukaj.
Arba Hasanaj siguroi medaljen e bronztë në kategorinë deri në 70 kilogramë, ndërsa Elvira Ukaj në kategorinë mbi 70 kilogramë.
Të dyja garueset u udhëhoqën nga trajnerja Majlinda Kelmendi.
Hasanaj e nisi garën me fitore me Ippon ndaj grekes Chrysoula Stavroula Ouranitsa, ndërsa në çerekfinale mposhti me të njëjtën mënyrë edhe lituanezen Radvile Juseviciute.
Në gjysmëfinale, ajo u mposht nga grekja Maria Eleni Papaioannou, por në luftën për medaljen e bronztë triumfoi me Ippon ndaj kroates Lana Kraus.
Ndërkohë, Elvira Ukaj, në kategorinë mbi 70 kilogramë, u mposht në çerekfinale me Ippon nga kanadezja Olivia Wisniowski dhe vazhdoi garën nëpërmjet repasazhit.
Aty ajo fitoi me Ippon ndaj grekes Petrina Apatsidou, përpara se në luftën për medaljen e bronztë të mposhtte po ashtu me Ippon greken Dimitra Sarianidou.
Kështu, dy xhudistet kosovare e përmbyllën garën në Selanik me medalje të bronzta, nën drejtimin e trajneres Majlinda Kelmendi.