Drejtuesit e xhudos evropiane mbetën të impresionuar me Kosovën

Xhudo

Drejtuesit e xhudos evropiane mbetën të impresionuar me Kosovën

Më: 25 maj 2023 Në ora: 12:10
Drejtuesit e xhudos evropiane në Kosovë

Suksesi i xhudos përreth botës është vërtet i pabesueshëm.

Emocionet që iu dhurojnë xhudistët bashkëkombësve të tyre derisa garojnë përreth globit janë fantastike.

Ndërsa tash, është koha që krejt tifozët e këtushëm, ta përjetojnë këtë ndjenjë në Kosovë.

Më 16 dhjetor, Prishtina për herë të parë do ta organizojë një Kampionat Evropian të xhudos, ku pritet të ketë mbi 40 shtete pjesëmarrëse, shkruan Unioni Evropian i Xhudos në uebfaqen e tij zyrtare “eju.net”.

Këtë mesjavë, në vendin tonë qëndruan, presidenti i Federatës Evropiane të Xhudos, László TÓTH dhe zëvendës-presidenti i Unionit Evropian të Xhudos, Hrvoje LINDI, të cilët u pritën nga kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron KUKA, nga trajneri Driton KUKA, nga zëvendës-ministrja e Sportit, Daulina OSMANI dhe nga shefja e kabinetit në Ministrinë e Sportit, Klodeta KRASNIQI, ku u nënshkrua marrëveshja për këtë eveniment historik.

Zëvendës-presidenti për Sport i EJU-së, Hrvoje Lindi, ishte njeriu kyç që ia kishte mundësuar Kroacisë organizimin e njërit prej eventeve më të mëdha ndonjëherë, IJF Grand Prix dhe Kampionatin e parë Evropian të xhudos.

Prandaj, ai definitivisht e di se sa e vështirë është që të sjellësh evente të tilla tek tifozët e xhudos.

“Ne diskutuam rreth kushteve të cilat do t’ju servohen garuesve, të cilët do të garojnë në Kampionatin Evropian të hapur në kategoritë -57kg e -73kg. Dëshira dhe mbështetja e Qeverisë së Kosovës, njëjtë si ajo e Federatës, është e madhe.

Ne mezi presim që të marrë jetë ky projekt, të cilin do ta organizojë Kosova për herë të parë. Kjo është një aleancë e cila tashmë e ka treguar veten përmes rezultateve sportive dhe ne besojmë se do të tregohet edhe në aspektin e organizimit sa më të mirë”, deklaroi Lindi.

Evropiani do të organizohet në kuadër të programit shtetëror “Kosova, vend i xhudos”, i cili në kohë rekorde po tregon rezultate konkrete për sportistët dhe për të ardhmen e të rinjve.

Ai tutje u shpreh i lumtur që në Kosovë sporti i xhudos është aq i famshëm dhe aq i dashur, ndërsa Unioni Evropian i Xhudos është i gatshëm për bashkëpunim dhe për mbështetje, për ta masivizuar edhe më shumë këtë sport në vendin tonë,.

Sipas EJU-së, benefitet e Kosovës përmes organizimit të këtij evenimenti do të jenë direkte.

Do të ketë konsolidim të imazhit të shtetit në skenën ndërkombëtare, do të forcohet përkatësia dhe identiteti kombëtar, do të ketë impakt dhe përmirësim fizik të infrastrukturës sportive, të ekonomisë, dhe zhvillim të turizmit sportiv.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat