Kurti për Majlinda Kelmendin: Rrugëtimi i saj, simbol shprese e sinonim i suksesit për ne

Xhudo

Kurti për Majlinda Kelmendin: Rrugëtimi i saj, simbol shprese e sinonim i suksesit për ne

Më: 7 qershor 2023 Në ora: 18:40
Foto nga vendngjarja

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në demonstrimin e xhudos nga Kampionia Olimpike e Xhudos, Majlinda Kelmendi, në sallën sportive “Minatori”, në Mitrovicë.

Në këtë aktivitet i cili zhvillohet në kuadër të programit "Kosova, shteti i xhudos" dhe ka për qëllim promovimin e vlerave dhe sportit të xhudos, kryeministri Albin Kurti shprehu kënaqësinë dhe nderin që në atë mes ishte e pranishme e arta e parë e Kosovës, Majlinda Kelmendi, thuhet në njoftimin  e zyrës së Kryeministrit.

Rrugëtimi i Majlindës përgjatë karrierës së saj sportive sipas kryeministrit është shndërruar në simbol të shpresës dhe të përkushtimit në Republikën e Kosovës e anembanë botës, kështu duke u bërë sinonim i inspirimit dhe i suksesit për secilin prej nesh. Me këtë rast, ai konsideroi se virtytet e saj e bëjnë atë një kampione në tatami, kampione në jetë dhe kampione përjetë.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri vlerësoi lart edhe kontributin e trajnerit të xhudos Driton Kuka, i cili që nga viti 2009 i ka sjell Kosovës mbi 200 medalje nga arenat ndërkombëtare sportive, 87 të arta, përfshirë edhe 3 medaljet e arta olimpike. Kësisoj, sporti i xhudos dhe Toni, Majlinda, Distria e Nora, janë pjesë e pandashme e historisë tonë kolektive për shtetndërtim, zhvillim e suksese, të cilat shërbyen si motiv që sot të iniciohet programi “Kosova, shtet i xhudos”.

Nën praninë e nxënësve të shkollave të ndryshme mitrovicase, kryeministri Kurti njoftoi këta ta fundit se me vitin e ri shkollor, do të fillojë integrimi i xhudos në orët mësimore, me ç’rast nxënësit do të fillojnë të ushtrojnë sportin e xhudos nëpër shkollat e tyre. Bindshëm ky vendim do të mundësoj që në secilën shkollë të identifikohen shumë talente të cilëve do të ju ofrohet mundësia të ndjekin rrugën e Majlindës drejt sukseseve kulminante.

Në fund, kryeministri përcolli falënderimet e tij për të artën Majlindë, zëvendësministren e Kulturës, Rinisë e Sportit, Daulina Osmani, nënkryetarin e komunës së Mitrovicës, Arian Tahiri dhe për të gjithë të pranishmit.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Shumë të dashur nxënës dhe të rinj nga qyteti i Mitrovicës,

Shumë e dashur Majlinda, e arta e Kosovës,

Shumë i nderuar Driton Kuka, mjeshtër i xhudos,

Të nderuar anëtarë dhe sportistë të klubit të xhudos “Trepça”, 

Të nderuar mësimdhënës dhe prindër të shkollave të fillore,

Të nderuar qytetar dhe të tjerë të pranishëm,

Sot, jemi mbledhur të gjithë së bashku në qytetin e Mitrovicës, pikërisht në palestrën e “Minatorëve”, për këtë aktivitet madhështor që po zhvillohet në kuadër të programit shtetëror “Kosova, shtet i xhudos”. 

Është kënaqësi dhe nder i veçantë për mua që në mesin tonë e kemi të artën e parë të Kosovës, kampionen tonë Olimpike, Majlinda Kelmendi.

Majlinda, me rrugëtimin e saj të karrierës sportive u bë simbol i shpresës dhe i përkushtimit në Republikën e Kosovës e anembanë botës. Sot, me kokën lartë dhe me shumë thjeshtësi, Majlinda vazhdon të mbetet sinonim i inspirimit dhe i suksesit për secilin prej nesh.

Qëndrueshmëria ndaj vështirësive, përkushtimi për triumf, dhe modestia ndaj suksesit – janë tri virtyte të Majlindës të cilat e bëjnë atë: Kampione në tatami, kampione në jetë dhe kampione përjetë.

Të dashur nxënës, rrugëtimi i Majlindës është shembulli të cilin të gjithë ju duhet të synoni ta ndiqni në cilindo angazhim tuajin në jetë. T’ju them të drejtën, po mundohem ta ndjekë edhe unë personalisht në detyrën që kam.

Një ndër trajnerët më të mirë të botës, kryemjeshtri Driton Kuka, që nga viti 2009 i ka sjellur Kosovës mbi 200 medalje nga arenat ndërkombëtare sportive, prej tyre 87 të arta, përfshirë këtu edhe 3 medaljet e arta olimpike.  

Për këtë, sporti i xhudos në përgjithësi, ndërkaq në veçanti Toni, Majlinda, Distria e Nora, janë pjesë e pandashme e historisë tonë kolektive për shtetndërtim dhe zhvillim dhe suksese.

Këto rezultate të përvitshme të xhudos, kanë shërbyer si inspirim për neve që së bashku me Federatën e Xhudos ta iniciojmë dhe ta zhvillojmë programin “Kosova, shtet i xhudos”.

Që nga fillimi i këtij viti, ky program po troket në derën e secilës shkollë në Kosovë. Kështu si ju sot, çdo ditë tjetër edhe bashkëmoshatarët tuaj kudo në Kosovë po njoftohen me sportin dhe teknikat e xhudos përmes demonstrimeve që  i bëjnë kampionët tanë.

Me vitin e ri shkollor, do të fillojë integrimi i xhudos në orët tuaja mësimore. Rrjedhimisht ju do të filloni të ushtroni sportin e xhudos nëpër shkollat tuaja. 

Jam shumë i lumtur që përfundimin e këtij viti shkollor po e bëni duke parë xhudo, ndërsa vitin e ardhshëm do ta filloni duke ushtruar xhudo.

Edhe jam shumë i bindur që në secilën shkollë do të identifikohen shumë talente të cilëve do të ju ofrohet mundësia të ndjekin rrugën e Majlindës drejt sukseseve kulminante. Tani është koha që xhudo atë që e ka bërë për Kosovën ndër vite, ta bëjmë ne për ta.

Unë ju falënderohem të gjithëve që jeni këtu, në veçanti Majlindës. Falënderoj edhe zëvendësministren tonë të Kulturës, Rinisë e Sportit, edhe nënkryetarin e komunës që të vazhdojmë së bashku të kontribojmë në forma të ndryshme për masivizimin e sportit të xhudos në të gjitha komunat e Kosovës. Sot, nga Peja në Mitrovicë, ndërsa të premten nga Peja në Ferizaj.

Shumë suksese klubit të xhudos “Trepça” dhe të gjithë sportistëve mitrovicas.

Falemnderit shumë të gjithëve.

Kosova është shtet i xhudos!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat