Veliu për Osmanin dhe të tjerët që u larguan nga LDK: E hanin bukën e shtëpisë e bënin argatin e kojshisë

Zgjedhjet 2021

Veliu për Osmanin dhe të tjerët që u larguan nga LDK: E hanin bukën e shtëpisë e bënin argatin e kojshisë

Më: 3 shkurt 2021 Në ora: 17:58
Agim Veliu

Lidhja Demokratike ka hapur fushatën zgjedhore në Komunën e Podujevës, e cila udhëhiqej për disa vite radhazi nga kjo parti.

Me këtë rast, nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu deklaroi se 14 shkurti do të jetë ditë historike dhe ditë e reflektimit të LDK-së, në bastionin e saj në Llap.

Ai tha se Llapi dhe LDK-ja janë ngushtë të lidhura me njëra-tjetrën dhe assesi nuk bëjnë pa njëra-tjetrën.

“Sikurse e dini edhe ju, në zgjedhjet e fundit të gjithë janë bërë kundër nesh dhe kështu e kanë marrë përkohësisht vetëm pozitën e kryetarit të komunës, e që edhe ata që e kanë zgjedhur këtë kryetar të përkohshëm tash janë bërë pishman, por i sigurojmë që shumë shpejt do ta heqim prej aty, me votën e lirë dhe demokratike të llapjanëve.Sot ballëhapur dalim para jush me ofertën dhe programin më të mirë, por edhe me kandidatët më të mirë në listën që i prinë kryeministri Avdullah Hoti”, tha Veliu

Tutje ai shtoi se Hoti është njeri i pranueshëm në të gjitha kancelaritë perëndimore dhe se kur erdhi në krye të qeverisë, Kosova i vuante pasojat e sanksioneve amerikane për shkak të politikave armiqësore ndaj perëndimit që ndiqte kryetari i VV-së.

“Unë nuk pranova t’i nënshtrohem diktatit të atij dhe asaj që kishin planifikuar për dëmtimin dhe shkatërrimin e LDK-së. Qytetari më ka vlerësuar për 30 vjet kontribut në LDK ashtu më çmon edhe sot. Para këtij besimi unë dhe partia ime përulemi sot e mot. E kam pas fatin të jem pjesë e LDK-së që nga dita e parë, kur e themeluam partinë e parë demokratike në Ballkan, me presidentin Rugova e deri më sot ish me LDK-në kur rrezikohej ekzistenca e popullit tonë, por ia dolëm sepse në krye patëm një lider historik e parti që i reziston kohërave. LDK sa më shumë që goditet, ajo bëhet më e fortë, kjo është kimia e funksionimit të saj dhe me këtë praktikë kemi tejkaluar të gjitha sfidat. Nuk është hera e parë që LDK-ja është goditur dhe nga brenda, e hanin bukën e shtëpisë dhe bënin argatin e kojshisë, thotë një fjalë e jona popullore. Të gjithë ata që kanë ndjekur këtë rrugë kanë përfunduar në hirin e historisë, kështu do të ndodhë edhe në të ardhmen. Hiri i historisë dhe harresës politike, do ti mbulojë edhe ata që sot duan ta çojnë këtë vend “Krejt dhe Drejt” humnerës duke proklamuar politika e programe majtiste e marksiste.”, shtoi Veliu.

Sipas tij, ata e duan krejt pushtetin në emër të kinse shkapjes së shteti, por duan ta shkapin për ta kapur fortë e për të instaluar diktaturën sipas shembullit koreano-verior.

“Kjo s’do të ndodhë pavarësisht makinerisë propagandistike që kanë instaluar gjithandej. S’do të ndodhë sepse populli tepër gjatë ka vuajtur nga regjime e diktatura marksiste”.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat