Limaj paralajmëron padi ndaj gjenocidit serb në Kosovë

Zgjedhjet 2021

Limaj paralajmëron padi ndaj gjenocidit serb në Kosovë

Më: 5 shkurt 2021 Në ora: 16:38
Fatmir Limaj

Lideri i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj ka paralajmëruar sot padi ndaj gjenocidit serb në Kosovë.

Ai para simpatizantëve të partisë nga Lipjani dhe Shtime, tha se ky do të jetë qëndrimi i parë i Nismës në legjislaturën e tetë në Kuvendin e Kosovës.

Limaj duke drejtuar akuza ndaj oponentëve të tij politikë tha se në Parlament dhe Qeveri duhet të ketë zë të çlirimtarëve, e jo të atyre, siç tha që kanë dilema për gjenocidin serb në Kosovë.

“Serbia okupatore ka kryer gjenocid ndaj Kosovës. Si mund të ketë dilema një drejtues politik, se a ka pasur gjenocid, apo jo? A ka pas përpjekje, apo jo. Kemi qindra masakra dhe fëmijë të vrarë. Kjo është tregues se çka ka bërë Serbia në Kosovë…Ftesa ime është mos votoni njerëz që vënë në pikëpyetje historinë e vendit tonë…Nisma një nga qëndrimet e para në parlament do të ketë padinë kundër gjenocidit serb”, tha ai.

Krahas kësaj, Limaj në ditën e tretë të fushatës, tha se Kosova ka nevojë për qeverisje me përvojë dhe pjekuri politike.

“Ftesa ime është që në Parlament dhe Qeveri duhet të ketë njerëz me duar të sigurta dhe duar të sprovuara, me njerëz që ndajnë dhimbjen dhe krenarinë e vendin të tyre. Ata që punojnë për dinjitetin e vendit të tyre dhe ata që nuk largohen nga tradita e vendit të tyre…Vendi ynë më shumë se kurrë ka nevojë për urtësi, pjekuri, përvojë të ngërthyera për projekte të reja”, u shpreh ai.

Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, Limaj tha se në parlament duhet të ketë njerëz që njohin gjuhën diplomatike.

“Në parlamentin e Kosovës na duhen burra dhe gra që kuptojë gjuhën diplomatike dhe dinë ka po e sjellin Kosovën dhe ku po e çojnë. Më shumë se kurrë na duhen njerëz në parlament që i dinë plagët e Kosovës”, tha ai.

Gjatë këtij tubimi partiak u prezantuan edhe kandidatët e Nismës për deputet nga qyteti i Lipjanit dhe Shtimes.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat