Thirrje për liri, pritje për një vendim të drejtë dhe kujtime për luftën çlirimtare janë përcjellë nga sheshi “Skënderbeu”, ku edhe është mbajtur marshi “Kosova po pret”.
Qytetarë nga vende të ndryshme të Kosovës ishin mbledhur në kryeqytet për të shprehur mbështetjen e tyre për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Mes turmës, zërat janë të ndryshëm, por mesazhi i pjesëmarrësve është i njëjtë; presin lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.
Fatmir Maloku nga Përlepnica e Gjilanit, thotë se pret lirimin sa më të shpejtë të çlirimtarëve, ndërsa procesin gjyqësor në Hagë e konsideron të padrejtë.
Maloku: Nuk mund të dënohet liria e fituar me gjak
“Po, e presim lirimin sa më shpejt të çlirimtarëve tonë. Njëkohësisht edhe çlirimi i vendit tonë edhe njëherë nga kjo qeveri e tërbuar. Që asgjë nuk shkon mbarë. Gjitha shkojnë mbrapsht. Procesin e kemi parë një proces i padrejtë. Dhe s'kemi çka diskutojmë për të, fare. Ne atje nuk mundemi me shkuar, mirëpo ne presim që mos me u dënu. Mos me u dënu. Se nuk mundet me u dënu liria. Nuk mundet me u dënu pavarësia e një vendit, e cila është fituar me gjak”, tha ai.
Në mesin e pjesëmarrësve është edhe Naip Gubetini, ish-ushtar i UÇK-së nga Zona Operative e Llapit.
Ai tha se pret lirimin e ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar procesin në Hagë si politikë dhe të padrejtë.
Gubejtini: Presim lirimin e çlirimtarëve tanë
“Më 16 më 17 shtator presim lirimin e çlirimtarëve tanë. Janë duke mbajtur padrejtë atje. Procesi ka qenë deri tash politikë. Politikë, është e padrejtë. Janë marrë veç ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Janë padrejtë duke i mbajtur atje edhe presim lirimin e tyre patjetër”, tha ai.
Një qytetar tjetër, Xekë Rabusha tha se pret që e gjithë Kosova të mobilizohet për t’i pritur ish-krerët e UÇK-së.
Agusha: Të mërkurën e presim gjithë Kosovën në këmbë
“Të mërkurën presim gjithë Kosovën në këmbë, me i pritë çlirimtarët e tonë. Procesi deri tash ka qenë i kompromentuar deri në fund. Padrejtësi e paparë më ndonjëherë në historinë e njerëzimit. Asnjë shans nuk ka që të dënohen njerëzit e pafajshëm. Njerëzit të cilët kanë sjellë liri nuk dënohen. Nuk ka gjyq që i dënon njerëzit që sjellin liri”, tha ai.
Përndryshe, nga sheshi “Skënderbeu”, marshuan me një kërkesë të përsëritur në kor: lirimin e ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po përballen me proces gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Për pjesëmarrësit, ky marsh nuk është vetëm një tubim. Është shprehje e mbështetjes për ata që, sipas tyre, luftuan për lirinë e Kosovës.