Dështojnë punimet e Kuvendit pas pauzës, Haxhiu kritikon deputetët dhe e shtyn seancën për nesër

Aktuale

Dështojnë punimet e Kuvendit pas pauzës, Haxhiu kritikon deputetët dhe e shtyn seancën për nesër

Më: 12 nëntor 2026 Në ora: 07:12 Përditësuar në ora: 14:46 më 12.11.2026
Kuvendi i Kosovës

“S’mund të pres deri në pafundësi”, Haxhiu shtynë seancën – kritikon deputetët

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka ndërprerë punimet e seancës së sotme për shkak të mungesës së deputetëve pas pauzës së paraparë deri në orën 14:00.

Haxhiu njoftoi se seanca do të vazhdojë nesër në orën 11:00, duke shprehur pakënaqësi për vonesën e deputetëve në rikthimin në sallën plenare.

Ajo tha se edhe gjysmë ore pas orës 14:00, deputetët nuk ishin kthyer në sallë, duke e cilësuar këtë si mungesë serioziteti.

Vonesat e deputetëve, Haxhiu ndërpret seancën: Vazhdon nesër në orën 11:00

“Seanca i vazhdon punimet nesër në orën 11:00. Nuk është serioze që gjysmë ore pas orës 14:00 nuk po vijnë deputetët. Unë nuk kam mundësi të funksionoj dhe të pres deri në pafundësi”, tha ajo.

Seanca pritet të vazhdojë nesër, ndërsa në rend dite mbeten disa marrëveshje ndërkombëtare, interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, mocioni për çështjen e energjisë dhe shqyrtimi i Projektligjit për Dhomat e Specializuara në lexim të tretë. 

Kuvendi shkon në pauzë deri në ora 14:00

Kuvendi i Kosovës ka shkuar në pauzë.

Deputetët pritet të kthehen në seancë plenare në ora 14:00.

Pas pauzës, Kuvendi pritet të vazhdojë punimet me shqyrtimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare, si dhe me interpelancën ndaj ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Në rend të ditës është edhe një mocion përmbajtësor lidhur me çështjen e energjisë.

Ndërkaq, si pikë e fundit e seancës është paraparë shqyrtimi dhe miratimi në lexim të tretë i Projektligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Ganimete Musliu përplaset me Xhelal Sveçlën për uniformat e Policisë

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, janë përplasur në Kuvendin e Kosovës lidhur me çështjen e uniformave dhe pajisjeve të Policisë së Kosovës.

Gjatë debatit, Musliu ka kritikuar Sveçlën, duke thënë se përgjegjësia për këtë çështje është personale e tij. Ajo ka ngritur shqetësime edhe për mënyrën se si është menaxhuar buxheti dhe janë krijuar kushtet për pjesëtarët e Policisë.

Në përgjigjen e tij, Sveçla ka thënë se ai është faktori i fundit që verifikon nëse procedurat janë ndjekur sipas rregullave, ndërsa përgjegjësia për procesin e prokurimit i takon departamentit përkatës të mbështetjes. “Unë jam faktori i fundit që bëj verifikimin nëse procedurat janë ndjekur sipas rregullave. Përgjegjësia për këtë proces është te departamenti përkatës i mbështetjes.

Prandaj, duhet të jetë jashtëzakonisht e qartë se unë nuk merrem me detajet e një procesi të prokurimit”, ka deklaruar Sveçla. Ai ka shtuar se nuk ia ka ndryshuar rolin Policisë së Kosovës, por ka rritur mbështetjen ndaj saj, përfshirë atë financiare. Ndërkaq, Musliu ka kundërshtuar këtë arsyetim, duke thënë se në të kaluarën Policia ka pasur buxhet më të vogël, por nuk ka pasur ankesa për mungesë të uniformave, pajisjeve dhe kapelave.

“Ka pasur buxhet më të vogël, por nuk kemi pasur asnjë polic që është ankuar për mungesë të uniformave, pajisjeve apo kapelave. Ju po paraqitni buxhetin në letër, ndërsa ne synojmë që buxhetin ta realizojmë në praktikë, duke krijuar kushte më të mira për punë për policët”, ka thënë Musliu.

Haxhiu i reagon Rrahmanit për deklaratën ndaj Kurtit: Nuk mund t’i referoheni kryeministrit me fjalët “po shetitet”

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka reaguar deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Eman Rrahmani, pasi ky i fundit, në mungesë të kryeministrit Albin Kurti, vendosi ta shtyjë për një seancë tjetër pyetjen parlamentare, duke thënë se kryeministri “është duke u shetitur”.

Haxhiu ka thënë se vizitat e kryeministrit janë paralajmëruar më herët, duke përmendur si shembull vizitën në Francë, ndërsa ka theksuar se deputeti nuk duhet t’i referohet Kurtit me shprehjen “po shetitet”, pasi ai është kryeministër i vendit.

Rrahmani ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mungesën në seancat parlamentare, duke thënë se kjo është hera e katërt që ai nuk merr pjesë dhe nuk u përgjigjet pyetjeve të deputetëve.

“Është hera e katërt që po përsëritet. Kurti në katër seanca nuk vjen dhe nuk jep llogari. Në seancën e kaluar ka qenë në Pallatin e Rinisë, në Panair, duke u shëtitur, duke vizituar, dhe nuk ka marrë përgjegjësinë me ardhë me iu përgjigj deputetëve në Kuvend”, ka deklaruar Rrahmani.

Kuvendi përfshin në rend dite si pikë të 11-të Ligjin për Dhomat e Specializuara

Kuvendi i Kosovës ka votuar mocionin procedural të ushtrueses së detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, për përfshirjen në rendin e ditës të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Pas votimit të mocionit, ky ligj është përfshirë si pikë e 11-të e rendit të ditës.

Çitaku, duke paraqitur mocionin, ka falënderuar 90 deputetët që e kanë votuar më parë ligjin, ndërsa ka thënë se PDK-ja ka kërkuar kthimin e tij në Kuvend me qëllim të përfshirjes së rekomandimeve që, sipas saj, do ta bëjnë atë më të qëndrueshëm juridikisht.

Ajo ka bërë të ditur se pas diskutimeve me përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje dhe grupe të tjera parlamentare, është arritur pajtueshmëri për ta miratuar fillimisht ligjin në formën aktuale dhe më pas për të nisur procesin e amendamentimit.

“Propozoj mocionin procedural, për ndryshimin e rendit të ditës, për të përfshirë edhe ligjin për ndryshimin e ligjit për dhomat e specializuara dhe zyrën e prokurorit të specializuar. E nderuara kryetare, të nderuar kolegë deputetë. Fillimisht, më lejoni të falënderoj 90 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Të cilët ligjin e kanë votuar 2 herë. Në një natë shumë dramatike, në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Me atë votim dhe me atë unitet, ne kemi dëshmuar pjekuri të lartë edhe politike, edhe kombëtare, dhe kemi dëshmuar që ka vlera të mëdha që i tejkalojnë politikat ditore dhe që na bashkojnë. Pas kalimit të ligjit në 2 lexime, ju e dini që Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar që ai ligj të kthehet sërish në Kuvendin e Republikës së Kosovës, sepse na janë dhënë disa këshilla dhe rekomandime të cilat ne besojmë që ligjin do ta bëjnë edhe më të fuqishëm, edhe më të qëndrueshëm juridikisht. Nga kushdo që do ta kontestonte atë në fazat e mëtejme. Këtë vendim e kemi marrë të vetëdijshëm që do të na kushtojë politikisht po për ne qëllimi është më i rëndësishëm sesa dëmi që mund të na bëhej ne si parti politike. E kemi marrë me bindjen e plotë që mund të bëjmë ndryshime në të. Mirëpo, me pasdiskutimeve të shumta që kemi pasur me eksponent të lartë të lëvizjes vetëvendosje, por edhe me grupe të tjera parlamentare që e kanë mbështetur këtë ligj, ne jemi dakorduar, jemi paraqitur, ndonëse kemi pasur mospajtime në procedurë, në përmbajtje kemi dakordim. Ta miratojm sot dhe tw hwnw tw fillojm me amadamentim”, tha ajo.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se e mbështesin përfshirjen e kësaj çështjeje në rendin e ditës.

Ndërkaq, shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se LDK-ja mban qëndrimin e njëjtë si në të kaluarën, ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka bërë të ditur se Aleanca e mbështet mocionin.

Rrustem Mustafa përsërit thirrjen për koalicion PDK-VV: Bashkëpunimi nuk nënkupton amnesti politike

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rrustem Mustafa, ka përsëritur propozimin për bashkëpunim ndërmjet PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, të cilin e ka cilësuar si “koalicion për shtet”.

Mustafa ka thënë se, pavarësisht kundërshtimeve ndaj këtij propozimi, konkurrenca politike dhe përgjegjësia shtetërore nuk duhet ta përjashtojnë njëra-tjetrën.

Ai ka theksuar se një bashkëpunim i tillë nuk do të nënkuptonte amnisti politike, heqje dorë nga kritikat apo mungesë të llogaridhënies, por do të duhej të mbështetej në objektiva të qarta dhe rezultate të matshme.

“Kam propozuar bashkëpunim ndërmjet PDK-së dhe VV-së, atë kam quajtur koalicion për shtet. E di se ka pasur kundërshtime të shumta. Disa thonë se koalicioni i tillë do t’i zgjasë jetën politike Albin Kurtit. Dhe se ai duhet të sfidohet me zgjedhje. Ju kujtoj zgjedhjet tri herë rresht, një pas një, i mbajta. Megjithatë, e respektoj këtë qëndrim. Por unë besoj se konkurrenca politike dhe përgjegjësia shtetërore nuk duhet ta përjashtojnë njëra-tjetrën. Bashkëpunimi nuk nënkupton amnesti politike; nuk nënkupton harrimin e gabimeve, heqjen dorë nga kritika apo mungesë të llogaridhënies. Një marrëveshje duhet të ketë objektiva të qarta: përgjegjësi dhe rezultate të matshme. Nuk kërkoj partitë të heqin dorë nga identiteti i tyre. Kërkoj që të diskutojmë nëse ekzistojnë interesa madhërore dhe të cilat mund të marrin përgjegjësi së bashku”, tha ai.

Nagavci kërkon mbikëqyrje të shtuar të çmimeve: Krizat nuk mund të përdoren si arsyetim për çdo shtrenjtim

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, i ka bërë thirrje Qeverisë që të shtojë mbikëqyrjen e çmimeve, duke theksuar se krizat ndërkombëtare nuk mund të përdoren si arsyetim për çdo shtrenjtim, raporotn Ekonomia Online.

Nagavci ka thënë se duhet të bëhet dallimi ndërmjet rritjes së çmimeve që vjen si pasojë e kostos së furnizimit dhe lëndëve të para dhe shtrenjtimit që bëhet në mënyrë abuzive.

Ajo ka theksuar se rritja e çmimeve po rëndon familjet, veçanërisht në prag të festave të fundvitit, kur shtohen shpenzimet për ngrohje dhe energji.

“Po afrohen edhe festat e fundvitit. Familjeve u shtohen shpenzimet për ngrohje dhe energji. Në të njëjtën kohë, luftërat dhe krizat ekonomike po vazhdojnë të ndikojnë në çmimet e energjisë, të lëndëve të para dhe të produkteve ushqimore në mbarë botën. Kosova nuk është palë në këto luftëra, por pasojat e tyre ekonomike po i ndiejmë që nga viti 2022. Këtë vit rritja e çmimeve është bërë edhe më e ndjeshme për shkak të këtyre konflikteve. Krizat ndërkombëtare ndikojnë edhe në ekonominë tonë, madje shumë. Mirëpo ato nuk mund të përdoren si arsyetim për çdo shtrenjtim. Duhet të dihet se cilat çmime rriten për shkak të kostos së furnizimit apo lëndës së parë dhe cilat çmime rriten në mënyrë abuzive. Shtrenjtimi i jetesës i prek të gjithë, por jo të gjitha familjet i rëndon njësoj. Gjatë vitit 2026, qeveria ka ndërmarrë masa konkrete për t’i mbështetur qytetarët përballë këtyre vështirësive”, tha Nagavci.

Kuvendi mban seancë plenare, në rend dite marrëveshjet me Suedinë e Belgjikën

Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë plenare, në të cilën pritet të shqyrtohen disa projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, si dhe çështje të tjera.

Në rend të ditës janë tri marrëveshje me Mbretërinë e Suedisë, që kanë të bëjnë me ekstradimin, transferimin e personave të dënuar dhe ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale.

Po ashtu, do të shqyrtohet edhe projektligji për ratifikimin e Traktatit për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës.

Deputetët do të diskutojnë edhe Propozim-Programin e Punës së Kuvendit për Sesionin Vjeshtor 2026.

Në rend dite është edhe interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me vdekjen e pacientes me kancer të gjirit, e cila mbeti katër muaj pa terapi, si dhe mungesën e barnave onkologjike.

Seanca përfshin edhe mocionin përmbajtjesor për gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.

Seanca do të mbahet në sallën plenare të Kuvendit, duke filluar nga ora 10:00.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat