Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ka kërkuar shpjegim nga Komisioni Evropian dhe nga komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, pas interpretimit të melodisë së këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo” në mbrëmjen hapëse të Forumit të Zgjerimit të BE-së në Bruksel.
Në një postim në rrjetin X më 15 nëntor, Terras shkroi se bëhet fjalë ose për “një provokim të qëllimshëm, ose një shfaqje të pastër të injorancës”. Ai e cilësoi interpretimin e një kënge me pretendime ndaj Kosovës në një aktivitet të BE-së për zgjerimin si gafë të papërshtatshme dhe shtoi se Komisioni Evropian dhe Marta Kos i detyrohen Kosovës një shpjegim.
Koncerti mbahej nën titullin “Meloditë e unitetit: Harmoni nga udhëkryqi i Evropës” dhe përfshinte pjesë muzikore nga vendet e procesit të zgjerimit. Vargjet e këngës serbe përmbajnë pretendime territoriale ndaj Kosovës.
Të hënën, pak para nisjes së ditës kryesore të forumit, Kos u tha gazetarëve se i vjen keq për zgjedhjen e bërë nga muzikantët dhe theksoi se kënga nuk pasqyron as qëndrimin e Komisionit Evropian, as qëndrimin e saj ndaj Kosovës dhe historisë së saj. Në një përgjigje për “Bota sot”, Komisioni Evropian kishte bërë të ditur se zgjedhja e këngës nuk ishte dakorduar me të.
Reagime kishte pasur edhe nga Prishtina. Kryenegociatori me BE-në, Jeton Zulfaj, e quajti rastin skandaloz dhe të papranueshëm, ndërsa ambasadori i Kosovës në Belgjikë dhe kryenegociatori në dialogun me Beogradin, Agron Bajrami, kërkoi nga Komisioni dhe nga Kos të sqarohet kush e zgjodhi dhe kush e miratoi repertorin. Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e cilësoi rastin thellësisht shqetësues.
Kosova nuk mori pjesë në forum. Sipas Radios Evropa e Lirë, Brukseli nuk e ftoi për të dytën herë radhazi në këtë aktivitet, edicioni i dytë i të cilit u mbajt më 15 dhe 16 nëntor.