Ambasada amerikane në Prishtinë lëshon alarm sigurie, u bën thirrje qytetarëve të jenë vigjilentë

Aktuale

Ambasada amerikane në Prishtinë lëshon alarm sigurie, u bën thirrje qytetarëve të jenë vigjilentë

Nga: A.SH. Më: 17 nëntor 2026 Në ora: 09:47
Fotoilustrim

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka lëshuar një alarm sigurie për qytetarët amerikanë që ndodhen në Kosovë, duke u bërë thirrje të tregojnë kujdes dhe të jenë vigjilentë me afrimin e sezonit të festave, përcjell Bota sot.

Në njoftimin e publikuar më 16 nëntor 2026, Ambasada u rekomandon qytetarëve amerikanë të jenë të vëmendshëm ndaj rrethinës së tyre dhe të marrin masa për sigurinë personale.

Sipas njoftimit, tubimet e mëdha dhe ngjarjet publike mund të paraqesin objektiva të mundshme për grupet terroriste dhe kriminelët.

Ambasada paralajmëron se terroristët, përfshirë edhe individët që veprojnë të vetëm, mund të kryejnë sulme pa paralajmërim ose me shumë pak paralajmërim, duke shënjestruar vende turistike, tregje, qendra transporti, qendra tregtare, objekte fetare dhe hapësira të tjera publike.

Qytetarëve amerikanë u bëhet thirrje të tregojnë kujdes të shtuar gjatë festivaleve, aktiviteteve festive dhe ngjarjeve të tjera ku ka grumbullime të mëdha njerëzish. Po ashtu, vizitorët në zonat e frekuentuara turistike këshillohen të jenë të vëmendshëm dhe të ndjekin udhëzimet e policisë dhe ekipeve të emergjencës.

Në njoftim theksohet gjithashtu se gjatë sezonit të festave në Evropë mund të ketë pengesa në udhëtime dhe në jetën e përditshme. Sipas Ambasadës, grevat dhe protestat janë shtuar gjatë muajve të fundit.

Një tjetër shqetësim i përmendur janë kërcënimet e rreme për bomba, të cilat gjatë muajit nëntor kanë shënjestruar aviacionin civil në disa vende evropiane, duke shkaktuar ndërprerje të fluturimeve.

Për këtë arsye, qytetarëve amerikanë që udhëtojnë jashtë vendit u rekomandohet të përcjellin lajmet lokale për t'u informuar rreth zhvillimeve që mund të ndikojnë në transport dhe në jetën e përditshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat