Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar në Kuvend Projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2027, duke bërë të ditur se buxheti i planifikuar arrin në 4.27 miliardë euro.
Gjatë fjalës së tij në seancën plenare, në shqyrtimin e parë të projektligjit, Kurti tha se kjo shumë është rreth 200 milionë euro më e lartë se buxheti i rishikuar i vitit 2026 dhe 300 milionë euro më shumë se buxheti fillestar i këtij viti.
Ai theksoi se rritja e buxhetit mbështetet në performancën e të hyrave publike dhe zhvillimin ekonomik, duke përmendur rritjen ekonomike prej 5.3 për qind në tremujorin e parë dhe 4.1 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2026, apo 4.7 për qind për gjysmën e parë të vitit.
“Buxheti i projektuar për vitin 2027 arrin në 4.27 miliardë euro. Kjo është rreth 200 milionë euro më shumë sesa buxheti i rishikuar i vitit 2026 apo 300 milionë euro më shumë se buxheti fillestar i vitit 2026”, deklaroi Kurti.
Një ndër paralajmërimet kryesore të kryeministrit ishte rritja e pagave për punonjësit e sektorit publik. Ai bëri të ditur se në buxhetin e vitit 2027 është paraparë pagesa e pagës së 13-të, ndërsa nga 1 korriku i vitit të ardhshëm koeficienti i pagave do të rritet në 120 euro.
Sipas tij, buxheti për paga do të arrijë në 1 miliard e 85 milionë euro, ndërsa kjo shumë, e shpërndarë në rreth 85 mijë punonjës publikë, reflekton një pagë mesatare vjetore bruto prej mbi 12 mijë eurosh.
Kurti foli edhe për rritjen e shtesave për fëmijë, duke bërë të ditur se Qeveria ka paraparë një rritje graduale prej 25 për qind çdo vit, në katër faza, me synimin që deri në vitin 2030 ato të dyfishohen.
Faza e parë e rritjes pritet të nisë më 1 janar 2027. Si shembull, kryeministri tha se një familje me dy fëmijë, që aktualisht merr 60 euro në muaj, do të përfitojë 75 euro, ndërsa një familje me katër fëmijë, nga 180 euro sa merr aktualisht, do të përfitojë 225 euro në muaj.
Në fushën e shëndetësisë, Kurti njoftoi se është paraparë shtimi i 120 profesionistëve shëndetësorë në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës. Ai tha se buxheti për barnat esenciale do të mbështetet edhe përmes kursimeve nga përgjysmimi i shpenzimeve për udhëtime zyrtare jashtë vendit.
Po ashtu, janë planifikuar investime në ndërtimin e Qendrave të reja të Mjekësisë Familjare dhe blerjen e pajisjeve moderne mjekësore, me mbështetjen financiare të Bankës Evropiane për Investime dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës.
Një tjetër pjesë e rëndësishme e projektbuxhetit lidhet me investimet kapitale. Kurti bëri të ditur se për këtë kategori janë paraparë mbi 1 miliard euro, duke përmendur nisjen e punëve përgatitore për Unazën e Jashtme të Prishtinës, segmentin Duhël–Banullë dhe Autoudhën e Dukagjinit, si dhe projekte të tjera rrugore.
Në kuadër të investimeve infrastrukturore, ai përmendi edhe ndërtimin e digave të reja, përmirësimin e menaxhimit të rezervave ujore dhe krijimin e një sistemi për grumbullimin dhe sortimin e mbeturinave.
Në fjalën e tij, kryeministri njoftoi gjithashtu se është paraparë një linjë e veçantë buxhetore për kompletimin e infrastrukturës sportive në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.
Sa i përket zhvillimit ekonomik dhe turizmit, Kurti bëri të ditur se një nga nismat e reja është themelimi i kompanisë kombëtare ajrore. Sipas tij, kjo synon zgjerimin e lidhjeve ajrore të Kosovës, krijimin e më shumë mundësive për udhëtim për diasporën dhe promovimin e vendit në tregjet ndërkombëtare.
Ai përmendi edhe investimet në infrastrukturën turistike dhe mundësinë e realizimit të projekteve përmes Partneritetit Publiko-Privat, përfshirë zhvillimin e resorteve në Brezovicë dhe në rajonin e Dukagjinit, përkatësisht në Bjeshkët e Nemuna.
Në prezantimin e projektbuxhetit, Kurti bëri të ditur se 908 milionë euro do të transferohen drejtpërdrejt për financimin e komunave, duke e cilësuar këtë si nivelin më të lartë të financimit komunal deri më tani.
Ai njoftoi gjithashtu se është paraparë rritja e mbështetjes financiare për ekipet mbrojtëse të katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në përputhje me kërkesat e paraqitura nga vetë ekipet.
“Ky është buxheti i parë i mandatit tonë të ri. Ai ndërtohet mbi rezultatet ekonomike dhe fiskale të viteve të kaluara, por njëkohësisht përcakton drejtimin e zhvillimit për vitet që vijnë”, tha Kurti, duke shtuar se synimi është që rritja ekonomike të përkthehet në përfitime konkrete për familjet, shërbime më të mira publike dhe mundësi të reja për bizneset dhe investitorët.