Fetahu dhe Dushku marrin pjesë në Kongresin Afatmesëm të FIBA-s

Basketboll

Fetahu dhe Dushku marrin pjesë në Kongresin Afatmesëm të FIBA-s

Më: 2 qershor 2021 Në ora: 11:09
Arben Fetahu

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu dhe Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku të enjten nga ora 11:30 do të marrin pjesë në Kongresin Afatmesëm të Federatës Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA).

“Duke pasur parasysh situatën aktuale me pandeminë COVID-19 në të gjithë botën, dhe sipas dispozitave të veçanta ligjore për takimet e organizatave zvicerane gjatë kësaj periudhe, Kongresi i FIBA-s do të mbahet ‘online’”, ka bërë të ditur FIBA.

Në këtë Kongres FIBA do të raportojë para Federatave Nacionale për periudhën 2019-2021 në aspektin sportiv dhe në atë financiar, ndërsa do të votohet edhe për ndryshimet Statutare të FIBA-s, si dhe do të diskutohet për çështje të ndryshme të Federatave Nacionale, që janë anëtare të FIBA-s.

Pas Kongresit të FIBA-s të mbajtur në gusht 2019 në Kinë, kur Kosova për herë të parë u përfaqësua që nga pranimi në FIBA nga Sekretarja e Përgjithshme me të drejtë vote, Kongresi Afatmesëm FIBA 2021 synon të mbajë të informuar Federatat Nacionale mbi përparimin që po bën FIBA për të gjitha objektivat e saj dhe të sigurojë informacion dhe njohuri të dobishme mbi shtyllat thelbësore të punës së FIBA-s.

Kësaj radhe delegat me të drejtë vote në Kongresin e FIBA-s është Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, ndërsa si delegate e dytë është Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku.

Çdo Federatë anëtare në FIBA përfaqësohet me nga dy delegatë në Kongresin e FIBA-s, ku vetëm njëri prej tyre ka të drejtë vote.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat