​Fetahu: Masat antiCOVID-19 të rënda për basketbollin, klubet do ta pësojnë ekonomikisht

Basketboll

​Fetahu: Masat antiCOVID-19 të rënda për basketbollin, klubet do ta pësojnë ekonomikisht

Më: 6 shtator 2021 Në ora: 10:13
Arben Fetahu

Baskebolli e ka nisur edicion e ri me ndeshjet e turneut të Superkupës, derisa më 15 shtator pritet të fillojë edhe edicion i ri garues i Superligës së Kosovës.

Kur po bëhen edhe përgatitjet e fundit për një fillim sa më të mirë të këtij kampionati, basketbolli kosovar po ballafaqohet sërish me mungesën e tifozëve brenda palestrave sportive për shkak të masave të reja të ndërmarra nga Qeveria kundër pandemisë Covid-19.

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu ka thënë për KosovaPress, se masat e reja janë shumë të rënda për basketbollin e Kosovës edhe pse ata ishin përgatitur që brenda palestrave të basketbollit të lejohen vetëm ata tifozë të cilët janë vaksinuar dhe se kjo kërkesë iu kishte bërë të gjitha klubeve.

Fetahu: Masat e reja të rënda për basketbollin

“Në realitet nuk janë vështirë të zbatueshme, por janë të rënda shumë për basketbollin, janë të rënda për sportin në përgjithësi. Ajo që kemi si informatë[...]është se nuk do të ketë asnjë shikues të lejuar në palestrat e sporteve me dorë, basketbollin përfshirë. Ju e dini se ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet për të qenë të gatshëm për Superkupën[...]nga 1 deri më 5 shtator, pastaj e kemi edhe kampionatin i cili do të fillojë më 15 shtator dhe ajo që kemi kërkuar prej klubeve tona ka qenë që të sigurojnë që biletat vjetore të cilat i shesin për ata pak pjesëmarrës, për ata pak tifozë dhe pak shikues të cilët do të jenë nëpër tribunat e palestrave t’iu shiten vetëm atyre të cilët janë të vaksinuar, vetëm personave të vaksinuar dhe fëmijëve nën moshën 16 vjeçare që kanë të drejtë të lëvizin pa vaksina.”, tha Fetahu.

Ai ka thënë se janë klubet ato që do të afektohet direkt nga këto masa për shkak se shumë prej tyre tashmë kanë shitur bileta vjetore te tifozët e tyre dhe se rikthimi i këtyre mjeteve paraqet problem madhor.

Fetahu: Klubet do të afektohen direkt nga masat e reja

“Tani kjo çfarë po ndodhë neve na shkakton një telashe, na shkakton një problem madhor për shkak se këto klube vetëm i kanë shitur një pjesë të biletave vjetore, shumë prej tyre i kanë shitur biletat vjetore, na shkakton telashe me kthimin e mjeteve, na shkakton telashe se nuk do të jenë tifozët në palestra sërish e të tjera. Po shpresoj se do ta tejkalojmë këtë situatë më 13 (shtator) kur skadojnë këto masat të cilat i ka imponuar tani Qeveria e Kosovës dhe do të jemi në gjendje që të jemi në një regjim pak sa më të relaksuar për vijimin e kampionatit”, theksoi Fetahu.

Duke folur për KosovaPress, Fetahu potencoi se si Federatë e Basketbollit iu kishin vendosur kushte klubeve që për t’u licensuar të sjellin edhe projeksione financiare për vitet e ardhshme, por që për shkak të këtyre kufizimeve, edhe kjo pjesë do të afektohet negativisht.

Fetahu: Për shkak të masave, klubet duhet t’i ndryshojnë edhe projeksionet financiare

“Ne këtë vit e kemi edhe një hap përtej, kemi shkuar dhe kemi kërkuar prej të gjitha klubeve që si kushte të licensimit të na e sjellin edhe projeksionin financiar të tyre për vitet në vijim. Ajo që tani do të ndodhë se këto projeksione financiare të cilat na janë sjellë dhe në të cilat janë të përfshira natyrisht edhe një pjesë e të hyrave nga biletat e shitura do të duhet që të ndërrohen dhe secila prej klubeve të basketbollit do të afektohet, do të ndikohet patjetër negativisht”, tha Fetahu.

I pari i FBK-së ka shtuar se rimëkëmbja ekonomike, duke përfshirë edhe sportin nuk mund të bëhet duke marrë hapa të shpejtë, por paraprakisht do të duhet që të kishte një konsultim më të afërt me komunitetin e sportit për t’i dhënë argumentet e tyre mbi atë nëse do të duhet të mbylleshin palestrat apo jo.

Fetahu: Nevojitet një komunikim më i afërt me komunitetin e sportit 

“Nuk jemi natyrisht si institucion kundër masave të cilat imponohen nga institucionet tona për shkak se jemi të vetëdijshëm që shëndeti publik edhe mirëqenia është më e rëndësishme se sa zhvillimi i një garë... por tani jemi në një situatë kur rimëkëmbja e gjithmbarshme ekonomike e vendit e në veçanti e sportit, do të thoja, për shkak se është ndikuar joproporcionalisht keq gjatë këtij një viti e gjysmë është gjithashtu e rëndësisë jetike dhe kjo rimëkëmbje nuk mund të bëhet duke ndërmarr këso hapa ad-hoc dhe këso ndryshime emergjente të tilla. Do të ishte mirë që të kemi si komunitet i sportit pak sa më të afërt, pak sa më të thukt dhe pak sa më domethënës me institucionet tona në mënyrë që të jemi në gjendje që të japim edhe ne argumentet tona pse duhet të mbyllet apo nuk duhet të mbyllet”, ka thënë Fetahu.

Vitin e kaluar skuadra e Yllit u shpall kampion i Kosovës, ndërsa këtë edicion pritet një luftë e ashpër ndërmjet skuadrave si Sigla Prishtina, Ylli, Peja dhe Trepça.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat