Liga Ballkanike/Sigal Prishtina shënon fitore të rëndësishme kundër BC Levski

Basketboll

Liga Ballkanike/Sigal Prishtina shënon fitore të rëndësishme kundër BC Levski

Më: 31 mars 2022 Në ora: 21:32
Ilustrim

Klubi i basketbollit Sigal Prishtina ka arritur sot të shënojë fitore tejet të rëndësishme si vendase e BC Levskit, ndeshje kjo e vlefshme për Ligën Ballkanike.

Gjiganti i basketbollit kosovar Sigal Prishtina e ka mposhtur sot me rezultat të ngushtë 66:63 BC Levskin, përcjell KosovaPress.

“Plisat” nuk e filluan në mënyrën më të mirë ndeshjen e sotme, ku çerekun e parë e mbyllën në disavantazh 16:24 kundër Levskit, ndërsa në çerekun e dytë të dy skuadrat u ndanë të barabarta me pikë, respektivisht 16:16.

Pas pjesës së parë, rezultati qëndronte 32:40 në favor të klubit bullgar, ndërsa në pjesën e dytë gjiganti kosovar ishte ai i cili shkëlqeu në parket.

Fillimisht, Sigal Prishtina arriti të barazojë rezultatin e ndeshjes, ku në çerekun e tretë kryesonte me rezultat 22:14, kështu duke barazuar rezultatin në 54:54, kurse çereku i fundit i ndeshjes ishte vendimtar që Sigali të arkëtojë pikët e plota.

Çerekun e katërt prishtinasit e mbyllën me epërsi prej tre pikëve, respektivisht, me rezultat 12:9, ku kjo diferencë bëri që Sigali ta mbyll ndeshjen në favor të vet, kështu duke e mposhtur BC Levskin me rezultat final 66:63.

Me fitoren e sotme, Sigal Prishtina renditet në vendin e tretë në Grupin C të kësaj gare, ku në katër ndeshje të zhvilluara ka arkëtuar shtatë pikë, aq sa ka edhe vendi i fundit Academic Plovdiv, ndërsa një pikë më pak se kundërshtari i sotëm Levski, që zë vendin e dytë, dhe lideri i tabelës Galil Elyon.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat