FBK në bashkëpunim me FIBA-n organizojnë Seminarin e Dytë në Prishtinë

Basketboll

FBK në bashkëpunim me FIBA-n organizojnë Seminarin e Dytë në Prishtinë

Më: 28 prill 2022 Në ora: 11:31
FBK në bashkëpunim me FIBA-n organizojnë Seminarin e Dytë në Prishtinë

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) në bashkëpunim me Federatën Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA) prej 6 deri më 8 Maj 2022 në Prishtinë do të organizojnë Seminarin e Dytë për Klubet e FBK-së.

Qëllimi i organizimit të këtij Seminari është zhvillimi dhe fuqizimi i klubeve të basketbollit.

Fuqizimi i Klubeve të FBK-së është një nga pesë qëllimet e FBK-së në Planin Strategjik 2021-2025, të cilin Federata e Basketbollit të Kosovës e ka hartuar në bashkëpunim me FIBA-n dhe ekspertët e jashtëm të angazhuar nga institucioni më i lartë i basketbollit në botë.

Ligjërues në Seminarin tre ditor do të jenë ekspertë të angazhuar nga FIBA: Geoff Wilson, Pedro Correia dhe Florian Pasquet.

Temat për të cilat ata do të ligjërojnë janë:

Licencimi i Klubeve

Qeverisja dhe Menaxhimi Financiar i Ligës dhe Klubeve

Planifikimi Operacional dhe Hapat e ardhshëm

Rrugëtimi i lojtarëve/eve

Seminari do të organizohet në hotel “Four Points by Sheraton Prishtina”, në ditën e parë (06.05.2022) prej 09:00 – 17:30, në ditën e dytë (07.05.2022) prej 09:00 – 17:30 dhe ditën e tretë (08.05.2022) prej 09:00 -14:00.

Klubet e FBK-së duhet të delegojnë përfaqësuesit/et e tyre në Seminar, i cili po organizohet në dobi të zhvillimit dhe fuqizimit të këtyre klubeve.

Meqë Licencimi i Klubeve është ndër temat kryesore në këtë Seminar, atëherë  FBK kërkon nga klubet e të dyja ligave që të marrin me seriozitetin më të madh delegimin e personave kyç për këtë Seminar, pasi që kriteret për licencim të klubeve në edicionin e ri të garave e kanë marrë dritën e gjelbër edhe në Kuvendin e Punës të FBK-së të organizuar më 26.03.2022 në Prishtinë.

Ky është Seminari i Dytë  i organizuar nga FBK në bashkëpunim me FIBA-n. Seminari i Parë  është  organizuar në fund të muajit shkurt, ku klubet pjesëmarrëse kanë  pasur rastin të  mësojnë për temat si: Menaxhimi i brendit dhe angazhimi digjital me tifozë; Veprimet në ditën e ndeshjes dhe angazhimi me tifozë në ditën e ndeshjes; dhe Sponsorizimi dhe investimet nga sektori publik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat