Nuk ka mjete financiare për të organizuar turneun Isuf Lumi?

Basketboll

Nuk ka mjete financiare për të organizuar turneun Isuf Lumi?

Nga: Edmond Thaçi Më: 23 shtator 2022 Në ora: 22:55
Isuf Lumi

Sporti bashkon, krijon ura bashkëpunimi, para së gjithash edukon dhe krijon vlera shoqërore. Si të tillë, duhet ta kuptojmë të gjithë.

Në shumë raste, sot e gjejmë të thënë, por edhe të shkruar madje edhe që sporti është jetë. 

Në Kosovë, shumë njerëz kanë dhënë shumë në jetësimin, zhvillimin dhe afirmimin e sportit.

Por, shtrohet pyetja, sa jemi duke i kujtuar ata? Thënë më mirë, sa jemi duke e respektuar gjithë atë armatë të njerëzve të cilët kanë sakrifikuar shumë vetëm e vetëm që sporti të ecë përpara.

Kësaj radhe do të ndalesha te një njeri i veçantë, një personalitet i rrallë me të cilin kam qindra e ndoshta mijëra minuta biseda e biseda qoftë në studio të radios por edhe jashtë saj. Isuf Lumi, presidenti i parë pas mëvetësimit në Federatën e Basketbollit të Kosovës. Vdekja e gjeti si sekretar i përgjithshëm në këtë sport shumë të dashur për të.

Ai kontribuoi maksimalisht në të gjitha mënyrat në zhvillimin e këtij sporti në vendin tonë.

Skuadra e tij e zemrës Ylli nga Suhareka, por edhe Federata e Basketbollit e Kosovës, organizuan turne memorial në nderim jetës dhe veprës së tij. FBK-ja organizoi turne deri në vitin 2016, kurse një vit e organizoi edhe skuadra e Yllit. Por, nga 2018-ta e këndej, sikur u lodhën, apo me bindjen që s’ka nevojë më të përkujtohet dhe të ndërpritet; dukuri që në Kosovë nuk është e rrallë.

Shtrohet pyetja, kujt po i pengon që ky turne të vazhdojë të mbahet në jetë? Nuk e ka merituar një gjë të tillë? Nuk ka mjete financiare për të organizuar? Nuk kanë termin skuadrat e elitës apo ndoshta të propozohet që të mbahet edhe me gjeneratat e reja, për të cilat Isuf Lumi kishte punuar gjithë jetën e tij.

Ditë më parë ishte edhe përvjetori i 12-të i vdekjes së Isuf Lumit. Sa shpejt po i harrojmë, sa shpejt shterren kujtimet dhe i lëmë mbrapa jashtë ndërgjegjes sonë, sikurse një valixhe që kur nuk na duhet e lëmë pas dollapit.

Nuk mund të paramendoj që figura të tilla mos të nderohen dhe vlerësohen. Kosova i ka dhënë shumë sportit, figura të ndryshme kanë sakrifikuar shumë me dekada e dekada që ne të kemi kulturë sporti dhe vlera të larta sportive.

Jo vetëm zoti Lumi, por kemi shumë sportistë elitarë që enden në Kosovë e në botë, e për të cilët as emri nuk ju përmendet. 

Kujtojmë, që në këtë mënyrë gjeneratat e reja as nuk e kanë idenë se cilët janë dhe kanë qenë.

Është koha e fundit, t’i thërrasim ndërgjegjes, t’i nderojmë ata jo vetëm që nuk janë në mesin tonë, por edhe ata që i kemi gjallë, që i kemi në mesin tonë. 

Duke respektuar të kaluarën e ndritur, besoni, do të kemi të ardhme të ndritur.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat