Valbona - krenaria pejane dhe më shumë tituj të Kosovës, pensionohet nga loja aktive

Basketboll

Valbona - krenaria pejane dhe më shumë tituj të Kosovës, pensionohet nga loja aktive

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 6 tetor 2022 Në ora: 12:47
Valbona Bytyqi

Gati dy dekada me basketboll (18 vite), kaloi ditët më të mira, rrush me trofe, gjithsej 20 (tituj, kupa e Superkupa) është Valbona Bytyqi, e cila i jep fund karrierës si lojtare aktive. 

Një vendim i vështirë i gruas pejanes, por vendosi të tërhiqet nga loja aktive në moshën 35-vjeçare dhe tani e mendon zejen e trajneres.

Klubi i basketbollit Penza e Pejës gjithmonë do t’i mbetet në zëmër, rrugëtimi i saj si basketbolliste e re deri të kapitenja e këtij ekipi, me përjashtim një titull kampioni që e ka me Bashkimin e Prizrenit, kudo shkëlqeu.

Ajo ka luajtur në pozitën 2-3-4, shumë herë shënonte mbi 30 pikë. 

Është më e meritorja për të gjitha trofetë e Penzës.  Shumë vite reprezentuese e Kosovës dhe tani edhe trajnere për grupmoshat e reja.

Një basketbolliste, një kapitene e papërsëritshme për qytetin e Pejës dhe një lojtare e veçantë, një profil si lojtare siç ishte Valbona, do t’i mungojë basketbollit tonë. 

E para, një basketbolliste luftarake. E dyta, me një teknikë dhe precizitet. E treta, kur nuk ia donte ekipit, ajo i jepte zemër dhe triumfonin ndaj rivaleve më të mëdha. E katërta, me një edukatë të lartë dhe shembull për sportiste tjera.

E pesta, asnjëherë nuk u ndëshkua me teknike, kjo është kultura më e lartë e një sportisteje shembullore, siç njihet me zemër të madhe. E gjashta, është nënë e një vajze dhe ka një jetë të mrekullueshme familjare.

Valbona edhe vet e thotë se vendimi ishte shumë i vështirë.

“E dija që një ditë do t’i them fund lojës aktive dhe ndodhi. Asnjë sportiste nuk mund t’i ikë përshëndetjes me lojën aktine”, thotë Valbona për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Valbona me lojërat e saja i dhuroi emocione të mëdha qytetit të saj. Valbona me zemër mbrojti ngjyrat e Penzës dhe është krenari e pejanëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat