Anduena Rifati: Jap dorëheqje nga pozita e vëzhgueses

Basketboll

Anduena Rifati: Jap dorëheqje nga pozita e vëzhgueses

Më: 23 dhjetor 2025 Në ora: 22:51
Anduena Rifati

Ish basketbollistja Anduena Rifati ka dhënë dorëheqje nga pozita e vëzhgueses.

Ajo përmes një letre iu është drejtuar Federatës së Basketbollit të Kosovës. 

Këtë letër e ka dërguar edhe në adresë të redaksisë duke treguar arsyet e dorëheqjes.

“Jap dorëheqje nga pozita e Vëzhgueses së Federatës së Basketbollit të Kosovës.

Vendimi im vjen pas një reflektimi të gjatë dhe të qetë, dhe bazohet në disa arsye thelbësore, të cilat ndjej obligim moral dhe profesional t’i ndaj me ju:

- Gjatë edicionit 2025/26 jam ndjerë e injoruar dhe e neglizhuar nga Komisioni i Nominimeve, pa asnjë sqarim apo vlerësim të drejtë të kontributit tim.

- Nuk po vërej mbështetje reale institucionale për përfshirjen gjinore, ku si femër në këtë strukturë, integrimi dhe avancimi profesional duket i kufizuar.

- Meritokracia, si parim bazë i funksionimit institucional, më duket e zbehtë, ndërsa delegimet dhe vlerësimet nuk janë të qarta se mbi cilat standarde dhe kritere realizohen.

Këtë shkresë po e shkruaj me vëmendje dhe qetësi, por e ndjej të nevojshme të theksoj se posedoj një bagazh të pasur profesional në basketboll: si basketbolliste aktive, reprezentuese e Kosovës, gjyqtare dhe së fundmi si vëzhguese.

Duke rrjedhur nga një familje basketbolliste, kam pasur fatin që qysh herët të mësoj rregullat dhe frymën e lojës nga i ndjeri im atë, njohuri këto që janë përforcuar ndër vite përmes përvojës, përkushtimit dhe angazhimit të vazhdueshëm.

Megjithatë, duket se i gjithë ky bagazh profesional dhe njerëzor nuk ka qenë i mjaftueshëm për ta bindur një komision që të jem pjesë e radarit të tyre për vlerësim korrekt apo avancim profesional.

Ndoshta as nuk jam e befasuar, pasi shpesh vendimmarrësit rezultojnë të jenë kalimtarë tranzicionalë në basketboll, të cilët nuk i njohin apo nuk i vlerësojnë kontributet reale, sado minimale që mund të jenë në rrethanat tona. Fatkeqësisht, po jetojmë në një epokë të antivlerave, të selektimeve të preferuara dhe të njerëzve të dëgjueshëm.

Kulmi i gjithë kësaj ishte mungesa e ftesës nga shtëpia juaj institucionale në shpalljen e laureatëve të fundvitit.

Pas gjithë këtyre, po ju parashtroj një pyetje të sinqertë:

Nëse një ish-reprezentuese e Kosovës, një ish-lojtare më e mirë e Kosovës, një kapitene shumëvjeçare e klubit më të vjetër në vend, një sportiste që ka luajtur edhe në kohë rezistence, nuk gjen vend në një ngjarje të tillë, atëherë çfarë duhet të më shtyjë të vazhdoj të qëndroj në këtë pozitë?

Personaliteti im, kultura ime familjare, vlerat dhe kontributi im nuk lejojnë të luhet me emrin tim. Edhe nëse në llupën tuaj këto duken me shkronja të vogla, diku tjetër vlerësohen me shkronja të arta.
Basketbolli ka qenë dhe mbetet pasioni im.

Pavarësisht angazhimeve të shumta, me zell dhe përkushtim kam kryer detyrën time në Ligën e Femrave dhe Ligën Unike, duke udhëtuar edhe deri në Vlorë për të përmbushur përgjegjësitë e mia profesionale”, njofton Anduena Rifati.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat