Katër vite pas përfundimit të luftës, sporti i Kosovës përballej me vështirësi të mëdha organizative dhe financiare.
Megjithatë, në atë realitet të rëndë do të mbetej e pashlyeshme në kujtesën e basketbollit femëror – klubi Universiteti i Prishtinës.
Në edicionin 2003–2004, Universiteti mori pjesë për herë të parë në Trocal League, një nga ligat më të forta rajonale, ku konkurronin skuadra nga Kroacia, Sllovenia, Austria dhe Bosnje e Hercegovina.
Askush nuk e priste që një klub nga Kosova e sapodalë nga lufta të bënte namin në këtë ligë.
Ndodhi mrekullia.
Vashat e Universitetit jo vetëm që konkurruan denjësisht, por u shndërruan në kundërshtare serioze të skuadrave më të forta, duke e përfunduar kampionatin në vendin e tretë.
Një sukses që mahniti opinionin sportiv rajonal dhe heshti skeptikët, veçanërisht kroatet, sllovenet, boshnjaket dhe austriaket.
Ky sukses, megjithatë, nuk u përtyp lehtë nga Serbia.
Përveç rezultateve sportive, asaj i pengonte edhe shikueshmëria e jashtëzakonshme në Prishtinë dhe Mitrovicë, ku ndeshjet e Universitetit mblidhnin mbi 3 mijë tifozë.
Një klub femrash nga Kosova, me një mbështetje masive, ishte si një tërmet për rajonin.
Nën presionin e Serbisë, organizatorët e ligës aprovuan një skenar të turpshëm!
Universiteti u largua nga garat, ndërsa në vend të saj u përfshinë Vojvodina e Novi Sadit dhe Buduçnosti i Podgoricës, që atëkohë përfaqësonin Serbinë dhe Malin e Zi.
Një padrejtësi e madhe sportive.
Ky klub mbetet një nga ekipet me traditën më të pasur që nga fundvitet e ’70-ta, në vitet ’80 dhe po ashtu edhe edicioni 2003–2004.
Ky sukses nuk ishte rastësi. Kosova ka pasur gjithmonë traditë në basketbollin femëror, duke filluar nga plejada e kapitenes Resmie Juniku, Xhevahire Mustafa, Shemsie Stublla, Xhemile Berisha, Serbeze Perani, Jelica Komnenoviq – emra të papërsëritshëm.
Në edicionin 2003–2004, me kapitenen Elvira Dushku, dhe basketbollistet Mirza Alibegaj, Ivona Puzar, Ivona Bogoje, si dhe shqiptaret Diellza Shaqiri, Teuta Abdullahu, Doruntina Vuniqi, Arbnore Perçuku, Learta Berisha, Kimete Haliti e të tjera, u shkrua një kapitull i artë i sportit të Kosovës në Trocal League.
Tabela përfundimtare 2003-2004
1. Gospiç Industrogradnja (Kroacia) 20 18 2 38
2. Shibeniku Jolly JBS (Kroacia) 20 17 3 37
3. Universiteti (Kosova) 20 15 5 35
4. Croatia 2006 (Kroacia) 20 14 6 34
5. Merkur Celje (Sllovenia) 20 12 8 32
6. Zhelezniçari (Bosnja) 20 11 9 31
7. Postaja Center (Sllovenia) 20 6 14 26
8. Trocal Jedinstvo (Bosnja) 20 6 14 26
9. Jezhica (Sllovenia) 20 4 16 24
10. Gustino Poëers (Austria) 20 4 16 24
11. Troglav Livno (Bosnja) 20 1 19 683 21