Valton Halimi ishte fare i ri kur u largua drejt Austrisë, por Mitrovica mbetet gjithmonë në zemrën e tij. Ai nuk ngurron ta tregojë këtë, qoftë edhe para miqve të tij politikanë në Austri e më gjerë. Këtë e ka shprehur, ndër të tjera, edhe në një intervistë të sinqertë.
Djaloshi i ri, me ëndrra, synime dhe realizime të mëdha, është njëkohësisht edhe asambleist në qytetin Gleisdorf të Austrisë, duke u krenuar me origjinën e tij. Rruga e tij në politikë në një shtet të huaj, ku ka ndërtuar jetën dhe familjen, ka nisur që nga viti 2013 dhe nuk ka ndaluar që atëherë.
Por jo vetëm kaq — në këtë lidhje direkte, Valtoni foli edhe për miqësinë e tij me një nga eurodeputetët më të zëshëm për çështjen e Kosovës, Lukas Mandl, me të cilin ka ndarë biseda edhe pas vizitës së këtij të fundit në vendin tonë.
Në një moment gjatë emisionit, moderatori e quajti Valtonin "ambasador të mirë për Kosovën" në shtetin ku jeton. Megjithatë, Valtoni me modesti u shpreh se kjo fjalë i duket e madhe për të.
I pyetur nga gazetari për dy oferta — njërën për të ndihmuar komunën e Mitrovicës dhe tjetrën për t’u kthyer në Kosovë për të kontribuar në nivel qendror — Valtoni, me një të qeshur të menduar, tha se nuk mund të japë ende një përgjigje përfundimtare. Megjithatë, theksoi se për Kosovën, vendin e tij, ka sakrifikuar shumë dhe nëse do të kthehej, do ta bënte për Mitrovicën, sepse ajo është në zemrën e tij.
Ai nuk e la pa përmendur as ngërçin politik në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se vendi po shkon në një drejtim të gabuar. Edhe nga larg, ai i ndjek zhvillimet politike dhe bëri një krahasim me politikën austriake, ku politikanët që nuk mbështeten nga populli tërhiqen, duke mos e lënë vendin në stanjacion — pavarësisht përkatësisë së tyre partiake.
Nëse e keni humbur këtë intervistë, mund ta ndiqni në linkun më poshtë: