Bashkim Jakup Shala – Më shumë se tri dekada në shërbim të kombit dhe kulturës shqiptare në Austri

Diaspora

Bashkim Jakup Shala – Më shumë se tri dekada në shërbim të kombit dhe kulturës shqiptare në Austri

Nga: Vehbi Haliti Më: 9 qershor 2025 Në ora: 23:22
Bashkim Jakup Shala

Bashkim Jakup Shala ka lindur në vitin 1971 në fshatin Banjë të Komunës së Malishevës. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin e ndoqi për një vit në shkollën "Naim Frashëri" në Banjë dhe dy vitet e fundit në Therandë (Suharekë). Që në moshë të re, Bashkimi u përfshi në lëvizjet studentore dhe qytetare për të drejtat e shqiptarëve në Kosovë. Gjatë viteve 1988–1989, mori pjesë aktive në demonstratat në përkrahje të minatorëve të Trepçës, të cilët protestonin përmes grevës së urisë kundër represionit serb. Për këtë angazhim, ai u arrestua dy herë nga policia jugosllave dhe u përndoq vazhdimisht për veprimtarinë e tij patriotike. Emigrimi dhe angazhimi në mërgatë për shkak të përndjekjes politike, në moshën 17-vjeçare u detyrua të emigrojë në Nova Gorica të Sllovenisë, ku u angazhua menjëherë në ruajtjen e identitetit kombëtar. Ndër aktivitetet e para të tij ishte shpërndarja falas e librave alternativë "Numër 6", të ndaluar në Kosovë nga regjimi serb. Në mars të vitit 1990, ai u vendos në Graz të Austrisë, ku kontribuoi në themelimin e shoqatës së parë shqiptare në qytet, duke u angazhuar me përkushtim në organizimin e aktiviteteve kulturore dhe atdhetare për komunitetin shqiptar. Një ndikim të veçantë në formimin e tij patriotik pati vëllai i tij, dëshmori Hafir Shala – një punëtor i firmës "Ballkan", i cili, pas ndërprerjes së punës në fabrikë, iu përkushtua mësimdhënies si vullnetar në shkollën fillore "Naim Frashëri" në Banjë të Malishevës. Si shumë arsimtarë të tjerë të kohës, edhe ai dha mësim pa pagesë, në kushte të vështira, gjatë periudhës kur arsimi në gjuhën shqipe ishte i ndaluar nga autoritetet serbe. Organizimi i komunitetit shqiptar në Austri Në vitin 1992, Bashkimi iu bashkua nismës së profesor Skënder Gashit në Vjenë për regjistrimin e shqiptarëve në të gjithë territorin e Austrisë. Ai u caktua përgjegjës për zonën e Leobenit në rrethin e Steiermarkut, ku, bashkë me aktivistë të tjerë, vizituan shtëpi më shtëpi dhe regjistruan rreth 22 mijë shqiptarë – një nga nismat më të rëndësishme për organizimin dhe fuqizimin e diasporës shqiptare. Në të njëjtën frymë patriotike, nisi edhe organizimin e aktiviteteve kulturore dhe sportive në Steiermark. Turniri i parë u mbajt në një stadium pranë një kishe në rrugën Mariengasse në Graz dhe më vonë u bë një traditë e përvitshme, që vazhdoi çdo 2 Korrik deri në fillimin e luftës në Kosovë. Kontributi gjatë luftës dhe më pas Gjatë luftës në Kosovë, komuniteti shqiptar në Austri u mobilizua për të ndihmuar ushtarakisht dhe financiarisht përpjekjet çlirimtare. Të gjitha të ardhurat nga aktivitetet kulturore dhe sportive shkonin për mbështetjen e luftës, ndërsa lidhjet me luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin të përditshme dhe të forta. Pas përfundimit të luftës, Bashkimi vazhdoi angazhimin e tij atdhetar. Në vitin 2003, themeloi revistën "Atdheu", që synonte informimin e komunitetit shqiptar në Austri dhe përfshirjen e të rinjve në çështje kombëtare. Megjithëse revista nuk pati jetë të gjatë për shkak të mungesës së mbështetjes financiare, ajo mbeti një ide frymëzuese që më vonë mori formë tjetër. Shoqata "ATDHEU" – Trashëgimi dhe përkushtim kombëtar Në vitin 2005, Bashkimi themeloi Shoqatën "ATDHEU", e cila u regjistrua zyrtarisht në shtetin Austriak. Shoqata funksionon si organizatë vullnetare dhe jo-fitimprurëse, dhe organizon me përkushtim ngjarje të shumta kulturore, sportive dhe kombëtare, përfshirë festimet për Pavarësinë e Shqipërisë dhe të Kosovës. Që nga viti 2018, Shoqata "ATDHEU" organizon në Graz Ditën e Kulturës Shqiptare në hapësira publike, duke prezantuar para komuniteteve të huaja artin, muzikën, traditat dhe vlerat e trashëgimisë shqiptare. Jeta profesionale dhe familjare Bashkimi ka punuar për rreth 20 vite në një shtypshkronjë në Deutschlandsberg dhe më pas për 5 vite si këshilltar sigurimesh në kompaninë e sigurimeve GRAWE në Graz, ku ka ofruar shërbime në fushën e sigurimeve shëndetësore, të pasurisë dhe gastronomisë. Aktualisht punon si shofer në kompaninë shtetërore GKB në Austri. I martuar që nga viti 1992, është baba i dy djemve të rritur, të cilët janë të dy inxhinierë të suksesshëm në kompaninë teknologjike AVL në Graz. Mbështetja dhe bashkëpunimi i ngushtë me familjen kanë qenë gjithmonë thelbësore në rrugëtimin e tij jetësor dhe shoqëror. Mesazhi i Bashkim Shalës "Kushdo që ka ide të reja, vullnet dhe mirëkuptim është i mirëpritur në tryezën tonë shoqërore – sepse të bashkuar jemi më të fortë. Ne mërgimtarët duhet të punojmë vullnetarisht për çështjet kombëtare dhe të angazhojmë sa më shumë rininë në kulturë e sport, në mënyrë që të mos na humbin traditat që i trashëguam nga të parët tanë, për t’ia lënë amanet brezave që vijnë.” Bashkim Jakup Shala, me një aktivitet të pandërprerë në shërbim të kombit, kulturës dhe komunitetit në diasporë, mbetet një figurë frymëzuese për gjeneratat e reja – një zë i palëkundur për unitetin kombëtar, ruajtjen e trashëgimisë dhe përkushtimin ndaj identitetit shqiptar, kudo që ndodhen bashkëkombësit tanë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat