Topanicë, tetor 2025 – një fshat me histori, me njerëz të mirë e me shpirt bujar. Fshati që e ruan me fanatizëm traditën, mikpritjen dhe dashurinë për vendlindjen. E në mesin e këtyre njerëzve, që jetën e ka lidhur me punën, fshatin dhe bashkëfshatarët, qëndron Mumin Zubaku, ose siç e njohin të gjithë – Bejtë Topanica. Ai është një burrë që i njeh rrudhat si nder të punës, që i numëron vitet jo me ditë, por me vepra. Me flokët e thinjura nga puna e përditshme, por me shpirt të pastër e me zemër të madhe për çdo njeri të fshatit. Kryetar i Këshillit Lokal të Topanicës, veprimtar, bujk dhe mjeshtër i ngrohjeve qendrore, Bejtë Topanica është shembulli i atij qytetari që nuk flet shumë, por vepron çdo ditë për të mirën e përbashkët. Në këtë intervistë, përtej pyetjeve dhe përgjigjeve, ndihet aroma e tokës, e kafesë që e pi me mysafirin dhe e respektit që Topanica e ka trashëguar brez pas brezi.
Në zemër të Anamoravës, aty ku mikpritja është ligj dhe puna është nder, shtrihet Topanica – një fshat që ruan traditën dhe kulturën shqiptare me krenari. Këtu, çdo gur, çdo arë dhe çdo rrugicë ka historinë e vet.
Në mesin e njerëzve që ia kanë përkushtuar jetën fshatit të tyre qëndron Mumin Zubaku, i njohur më shumë si Bejtë Topanica, Kryetar i Këshillit Lokal të Topanicës, që punon me shpirt për komunitetin e vet. Ai është njeriu që nuk i njeh orët e pushimit. Punon pa u ndalur, flet me urtësi e ndihmon pa bujë. Me duar të forta, me rrudha që flasin për mund, dhe me një zemër që rreh për çdo banor të fshatit, Bejtë Topanica është simbol i përkushtimit dhe i dashurisë për vendlindjen.
Z. Zubaku, ose më mirë Bejt Topanica, siç ju njohin të gjithë, ju falënderoj për mikpritjen dhe përzemërsinë.
Faleminderit që keni ardhur nga Presheva. Ajo është tokë e shenjtë për ne. Ju uroj punë të mbarë edhe në sam24.info. Ju jeni të njëjtë si ne – një komb, një zemër. Këtu në Topanicë çdo mysafir nderohet. E vështirë është të gjesh dikund këtë mikpritje që kemi ne. E pamë edhe sot – doktorin e mjekësisë që z. Kadrush Morina, që kishte ardhur nga Kamenica për një rast, por kur e pa se kemi miq, ai na qerasi me kafe. Sepse kështu e kemi zakon: mysafiri është i bekuar.
Po e përmendim menjëherë që jeni në fund të mandatit të tretë si kryetar i Këshillit Lokal. Si e kujtoni këtë rrugëtim?
Me punë dhe me nder. Mandatin e parë e fitova në të njëjtën ditë kur u zgjodh herën e parë Donald Trump president i SHBA-ve. Ishte rastësi, por për mua një ditë e paharruar. Që nga ajo ditë nuk jam ndalur. Çdo gjë që e kam bërë, e kam bërë me ndershmëri, për të mirën e fshatit tim. I falënderoj të gjithë për besimin.
Sot Topanica ka fytyrë të re me punën që kemi bërë të gjithë. Rrugët tona janë të pastra, ka rend, pastërti dhe rregull. Kemi gjelbërim e bukuri që na lakmojnë shumë fshatra tjerë. Fshati ynë është shembull në komunën e Kamenicës.
Cilat janë disa nga punët që ju e ndjeni si më të rëndësishmet në këto vite?
Më së shumti krenohem me ndërtimin e Odës së Fshatit Topanicë. Ajo është bërë me mund, me ndihmën e mërgimtarëve tanë dhe me çdo qindarkë të raportuar. Unë personalisht kam ruajtur fletëpagesat, edhe ato me vlerë 2 euro e 70 cent – asgjë s’është harruar, çdo shpenzim është dokumentuar. Kjo është transparencë e vërtetë dhe për këtë punë, shumë fshatra na kanë marrë shembull. Në odë sot zhvillohen mbledhje, takime, ngjarje kulturore – është shtëpia e përbashkët e çdo topanicasi.
Si është jeta e përditshme në Topanicë sot?
Ne jemi një komunitet i vogël, por i bashkuar. Kemi shitore dhe restaurant si dhe xhami, ku çdo mëngjes mblidhemi për të pirë kafe e për të folur për punët e ditës. Kemi shkollën e fshatit, ku fëmijët mësojnë me dashuri dhe kujdes.
Edhe pse numri i fëmijëve është më i vogël se dikur, sepse shumë familje janë në mërgim, ne përpiqemi ta mbajmë gjallë jetën e fshatit. Kemi rrugë të mira, rend e qetësi, gjelbërim dhe një ambient të pastër.
Në Topanicë nuk ke pse frikësohesh – këtu ka respekt, harmoni dhe ndihmë të ndërsjellë.
Ju jeni gjithmonë aktiv, në çdo rast gëzimi apo pikëllimi. Si e përballoni gjithë këtë?
Kur punon me zemër, nuk lodhesh. Unë e dua fshatin tim dhe njerëzit e mi. Kur dikush ka gëzim, jam aty ta uroj; kur ka dhimbje, jam aty ta ngushëlloj. Kështu më ka mësuar jeta.
Kam 9 buallica, që janë rrallur shumë dhe nga to përfitojmë shumë të mira, punoj tokën, kujdesem për kafshët, e përveç kësaj jam edhe mjeshtër i ngrohjeve qendrore. Nuk i njoh orët – puna ime zgjat sa ka dritë. Me vullnet, besim e korrektësi.
Unë besoj se vetëm puna të nderon. Nuk dua ta shoh askënd pa punë, sepse pa punë nuk ka jetë.
Gjatë pandemisë keni qenë shumë aktiv për t’i ndihmuar banorët. Si e kujtoni atë periudhë?
Ishte kohë e vështirë, por ne nuk u dorëzuam. Unë shkoja personalisht t’u çoja barna e ushqime atyre që nuk mund të dilnin. S’mund të rrija duarkryq. Të ndihmosh dikë në nevojë është nder, jo detyrë. Në atë kohë kuptova edhe më shumë sa shumë vlen solidariteti në fshatin tonë.
Cili është raporti juaj me mërgatën dhe shoqatën “Topanica” në Zvicër?
Mërgata është oksigjeni ynë. Pa ta, shumë gjëra nuk do të ishin bërë. Kam bashkëpunim të shkëlqyer me Shoqatën “Topanica” në Zvicër, dhe sidomos me kryetarin e saj, profesor Burhan Morina. Ata na ndihmojnë vazhdimisht – me projekte, me mjete, me ide.
Edhe vëllai im që është binak me mua, bashkë me shumë të tjerë, janë aty dhe gjithmonë në kontakt me mua.
Çdo qindarkë që hyn e del për fshatin është me faturë e me kontroll të plotë. Kjo është mënyra si ndërtohet besimi mes nesh. I falënderoj të gjithë që më kanë besuar dhe dihet unë nuk marrë rrogë sepse rroga ime është e mira që fitoj nga perendi.
Ju përmendni shpesh figurën e presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.
Po, Presidenti Dr. Rugova është në zemrën time. Ishte njeri i urtë, i butë, por me forcë të madhe shpirtërore. Ai e deshi Kosovën dhe na mësoi si të duam, me kulturë e me urtësi. E kam fotografinë e tij në telefon, por më shumë e mbaj në shpirt. Ai është frymëzim për mua.
Çfarë mesazhi do t’u jepnit të rinjve të Topanicës dhe atyre në diasporë?
Të mos e harrojnë fshatin e tyre. Të kthehen, të ndihmojnë, të investojnë.
Ne që jemi këtu, punojmë çdo ditë që fshati të jetë më i mirë, por kemi nevojë për frymën e re të rinisë.
Topanica është shtëpia jonë e madhe. Unë u them të gjithëve: “Mos e harroni rrënjën tuaj”. Vetëm ashtu do të ketë jetë e vazhdimësi.
Kur largohesh nga Topanica, ndien diçka që nuk ta jep çdo vend: ngrohtësinë njerëzore, mikpritjen e vërtetë dhe respektin që buron nga zemra.
Bejtë Topanica të përcjell me fjalë të buta, me përqafim e me buzëqeshje, duke thënë:
“Herën tjetër mos ejani për pak, sepse në Topanicë mysafiri nuk largohet pa ngrënë bukë.”
Në çdo hap të tij shihen gjurmët e punës, ndershmërisë dhe dashurisë për vendlindjen.
Bejtë Topanica është jo vetëm kryetar i Këshillit Lokal, por kryeplaku shpirtëror i fshatit, që udhëheq me urtësi, me shembull dhe me dorë të pastër. Topanica sot është më e bukur, më e rregullt dhe më e bashkuar – falë njerëzve si ai që punojnë pa zhurmë, por me shumë zemër. Mumin Zubaku – Bejtë Topanica është shembulli i njeriut që punon me shpirt për vendlindjen. Puna e tij nuk matet me fjalë, por me vepra që mbeten si gurë themeli për brezat që vijnë.