Pioli: Kjaer na riktheu shpresat

Futboll

Pioli: Kjaer na riktheu shpresat

Më: 12 mars 2021 Në ora: 11:46
Pioli: Kjaer na riktheu shpresat

Një tjetër paraqitje dinjitoze e Milanit të Stefano Piolit. Trajneri u shfaq shumë i lumtur në konferencën për shtyp që pasoi barazimin e djeshëm në Mançester, një takim i vlefshëm për 1/8-at e Ligës së Europës.

Si e gjykoni këtë ndeshje?

Djemtë zhvilluan një paraqitje të shkëlqyer dhe ditën të komandonin ndeshjen. Ky barazim është një dozë besimi për të ardhmen. Kur shorti na rezervoi Junajtidin, e pashë si një mundësi tjetër për t’u rritur pasi punojmë me këtë synim. Të tilla ndeshje e rritin një skuadër dhe pavarësisht paraqitjes sonë, mendoj se kualifikimi nuk është i vendosur.

A ishte për t’u anuluar goli i Kesit?

Nga pozicioni im vura re vetëm që ishte një gol fantastik. Do të kishte pasur shumë rëndësi sepse po luanim bukur dhe do ta na kishte dhënë forcë. Kesi këmbëngul që nuk e ka prekur topin me dorë.

Fatmirësisht, ai i Kjaerit ishte i rregullt?

Dhe na vjen mirë për këtë. Nuk po stërvis një grup normal pasi janë disa djem të jashtëzakonshëm në aspektin profesional dhe atë njerëzor. Kur i shoh që japin shpirtin në fushë, nuk mund të mos ndihem i lumtur. Ky barazim përbën një rezultat pozitiv dhe na mbetet pak keqardhje sepse patëm mundësi të bënim më shumë duke qenë se treguam se ishim në lartësinë e një rivali kaq të fortë.

A mund të bënte Leao diçka më tepër? Secili prej nesh mundet, por Leao ka nevojë për këto ndeshje sepse kërkon vazhdimësi dhe besim. Në këndvështrimin tim, shoh se ka cilësi dhe dëshirë më shumë sesa sezonin e kaluar.

Si është gjendja e të dëmtuarve? Kalabria ndjeu dhimbje në fund të barkut, por nuk besoj se ka ndonjë problem serioz. Gjithsesi, nesër (sot) do të ketë kontrolle për të gjithë e do të bëjmë vlerësimet tona pasi të jemi konsultuar me stafin mjekësor.

Çfarë mësimesh keni nxjerrë nga kjo ndeshje?

Kuptuam edhe më mirë se sa rëndësi ka shpirti i garës dhe vullneti për të komanduar në fushë. Po luajmë çdo tri ditë dhe nuk është e lehtë, por djemtë po japin gjithçka. Kjo është mënyra e duhur për të vazhduar sezonin tonë dhe nevojiten disa sakrifica për tri ndeshjet e radhës sepse më pas do të jemi në pushimin e kombëtareve e disa prej lojtarëve mund të pushojnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat