Seferi lider i Tiranës

Futboll

Seferi lider i Tiranës

Më: 7 dhjetor 2021 Në ora: 18:53
Seferi lider i Tiranës

Tirana ka marrë fitoren e dytë radhazi në Abissnet Superiore teksa ka mposhtur me rezultatin e pastër 3-0, Kastriotin. Bardheblutë ishin në udhëheqje të ndeshjes gjatë gjithë kohës dhe nuk e vendosën për asnjë moment në diskutim trepikëshin.

Sinjalet e para të kryeqytetasve erdhën me anë të Vesel Limajt që provoi në minutën e 10 nga distanca e pastaj u ndal në hyrje të zonës nga mbrojtja kundërshtare. Megjithatë, aroma e golit po ndihej dhe ishte Taulant Seferi ai i cili zhbllokoi shifrat në minutën e 21. Sulmuesi u tregua i saktë në hyrje të zonës dhe nuk i la mundësi reagimi portierit Sali.

Sakaq, edhe pas golit, të besuarit e trajnerit Orges Shehi nuk e ulën ritmin dhe vazhduan të ishin ofensivë në fushë. Në këtë formë, erdhi edhe goli i dytë me Ngoo që përfitoi nga një gabim i Karakaçit dhe nisi të vetëm përpara Seferin. Lojtari nga Kumanova edhe njëherë tjetër u tregua i ftohtë dhe shënoi të dytin për të tijtë në minutën e 45.

Me këtë rezutat u mbyll pjesa e parë, ndërsa sa i takon fraksionit të dytë, Tirana ishte pranë shënimit të golit të tretë me anë të Erion Hoxhallarit. Kapiteni ekzekutoi shumë bukur një goditje dënimi, por u ndal vetëm nga traversa.

Gjithsesi, për të vendosur pikët në kasafortë, mendoi Michael Ngoo, i cili këtë herë u shërbye nga Seferi në minutën e 74 dhe përballë Salit nuk e pati të vështirë për të shënuar.

Deri në fund, rezultati nuk ndryshoi dhe bardheblutë marrin fitoren e dytë radhazi duke ruajtur vendin e parë të klasifikimit me 27 pikë, ndërsa nga ana tjetër, Kastrioti zhytet në fund me vetëm 5 pikë të grumbulluara pas 12 javëve kampionat.

Tirana-Kastrioti 3-0  Seferi 22′, 45′, Ngo’o 74′ .

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat