Superliga rikthehet këtë fundjavë

Futboll

Superliga rikthehet këtë fundjavë

Më: 19 nëntor 2026 Në ora: 20:17
Fotoilustrim Kupa dhe futbolli

Pas ndërprerjes për shkak të ndeshjeve të kombëtareve, Kategoria Superiore rikthehet këtë fundjavë me pesë përballje që do të zhvillohen në tre ditë. Java e 12-të premton rivalitet si në garën për kreun, ashtu edhe në luftën për mbijetesë.

Vëmendja kryesore e kësaj të premte do të jetë në Korçë, ku Skënderbeu pret Egnatian kryesuese.

Dy skuadrat vijnë në këtë përballje në një moment pozitiv. Korçarët numërojnë gjashtë ndeshje pa humbje në të gjitha kompeticionet, ndërsa në pesë javët e fundit të kampionatit kanë regjistruar tre fitore dhe dy barazime.

Në krahun tjetër, rrogozhinasit kanë fituar tre ndeshjet e fundit radhazi dhe do të synojnë të ruajnë distancën nga ndjekësit. Elbasani do të përballet me Dinamon, në një duel të rëndësishëm për zonën e sipërme të renditjes.

Dinamovitët kërkojnë të dalin nga momenti i vështirë, pasi në tre ndeshjet e fundit kanë regjistruar dy barazime dhe një humbje. Elbasani vjen pas disfatës ndaj Vllaznisë dhe kërkon të rikthehet te rezultatet pozitive.

Një tjetër përballje me rëndësi zhvillohet në Durrës, ku Teuta pret Laçin. Durrsakët synojnë të ndërpresin serinë prej tre humbjesh radhazi dhe të marrin pikët e para pas këtij momenti negativ.

Laçi, që renditet në vendin e parafundit, vjen pas dy disfatash dhe kërkon të reagojë për të mos u shkëputur më tej nga rivalët.

Në një tjetër duel me peshë për renditjen, Partizani do të përballet me Vllazninë. Të kuqtë kanë grumbulluar 10 pikë, ndërsa shkodranët numërojnë 12, duke e kthyer këtë sfidë në një përballje direkte për pozicionet në tabelë.

Java e 12-të do të mbyllet të dielën me ndeshjen Vora–Tirana, ku të dyja skuadrat do të kërkojnë një rezultat pozitiv për objektivat e tyre në kampionat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat