Stadiumi “Niko Dovana” me fushë të re

Futboll

Stadiumi “Niko Dovana” me fushë të re

Më: 31 mars 2022 Në ora: 11:08
Stadiumi “Niko Dovana” me fushë të re

Teuta është rikthyer të luajë në stadiumin “Niko Dovana” pas disa muajsh për shkak të përmirësimit të infrastrukturës. Fusha e stadiumit është inauguruar në ndeshjen e djeshme që durrsakët zhvilluan ndaj Laçit në shtëpi, e vlefshme për gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë. Një investim që është bërë i mundur falë bashkëfinancimit të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Bashkisë Durrës.

Teuta do të ketë mundësinë tashmë të luajë të gjitha ndeshjet e mbetura të kampionatit në shtëpi, me fushën që është në gjendje optimale. Të pranishëm në ceremonie simbolike të inaugurimin e fushës së stadiumit “Niko Dovana” ishin Presidenti i klubit të Teutës, Edmond Hasanbelliu, anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Fatbardh Jera dhe Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako.

Në një prononcim për fshf.org, znj. Sako shprehet se fusha e re, por edhe dy anekset e stadiumit janë një bashkëfinancim i Federatës Shqiptare të Futbollit me Bashkinë e Durrësit, ndërsa thekson se do të investohet në qytetin bregdetar, për të shtuar numrin e terreneve sportive.

“Ky është një bashkëfinancim i Bashkisë së Durrësit bashkë me Federatën. Ne do të jemi gjithmonë në mbështetje të sportit dhe në mbështetje të të rinjve. Ky investim nuk vjen vetëm për stadiumin, por edhe për dy anekset, të cilat do t’i shërbejnë edhe zinxhirit të ekipit të fëmijëve dhe të të rriturve dhe shpresojmë se do të përmirësojë lidhjet e të rinjve me sportin në këtë qytet.

Të rinjtë janë e ardhmja e këtij qyteti dhe nëpërmjet këtij sporti jo vetëm qëndrojmë shëndetshëm por është shumë e rëndësishme të shtojmë edhe edukimin dhe lidhjen e sportit me të rinjtë. Ne, përvecc këtij investimi do të vazhdojmë edhe me ndërhyrje të tjera në qytet, në mënyrë që të gjithë ekipet private dhe publike që ka qyteti të gjejnë vend dhe hapësirë për të ushtruar aktivitetet sportive të natyrave dhe disiplinave të ndryshme”, – thotë znj.Sako për fshf.org.

I pranishëm në këtë inaugurim ishte edhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF, z.Fatbardh Jera, i cili vlerëson investimin e ndërmarrë nga FSHF në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit, për të përmirësuar terrenet sportive në Durrës. Jera thekson se fokusi i Federatës së Futbollit është rritja e numrit të terreneve sportive në vend, ndërsa shprehet se bashkëpunimi me pushtetet vendore do t’i jepte suport për vazhdimësi.

“Ishte kënaqësi që isha pjesë e këtij inaugurimi.

Një fushë jashtëzakonisht e mirë dhe do të thoja “një fushë e mirë, një sport edhe më i bukur”. Federata Shqiptare e Futbollit e ka në fokusin e saj që të bëjë sa më shumë terrene sportive të mira, në mënyrë që niveli i futbollit të rritet sa më shumë. Them që është një rrugëtim i gjatë dhe i mundimshëm, por shumë i frytshëm. Mendoj që edhe e ardhmja e fëmijëve tanë ka për të qenë shumë e mirë, sa i përket terreneve sportive. FSHF ka në fokus implementimin e projektit të 100 fushave.

Është një investim i jashtëzakonshëm i ndërmarrë nga FSHF dhe unë gjej rastin të përgëzoj edhe Bashkinë e Durrësit, një bashkëpunim i mirë, sa i përket anës së financave, por edhe një bashkëpunim i ndërsjellë, me pushtetet vendore do të na japë një suport më të mirë, sa i përket vazhdimësisë” – thotë Fatbardh Jera për fshf.org.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat