Krasniqi: Luajmë për fitore, kjo ndeshje s’ka favoritë!

Futboll

Krasniqi: Luajmë për fitore, kjo ndeshje s’ka favoritë!

Më: 30 prill 2022 Në ora: 11:53
Krasniqi: Luajmë për fitore, kjo ndeshje s’ka favoritë!

Përballja Kastrioti-Egnatia, për vetë pozicionet në klasifikim dhe synimet e të dyja ekipeve, mbetet sfida më intriguese e javës. Krutanët vijnë pas një faze të tretë të shkëlqyer dhe më tepër se kurrë sot besojnë te fitorja.

Por jo më pak e motivuar vjen edhe Egnatia e trajnerit Zekirija Ramadani, që ka treguar se di të bëjë mirë kur luan në transfertë.

Kapiteni Gëzim Krasniqi, që këtë sezon është kthyer në liderin e prapavijës së Egnatias, vlerëson maksimalisht krutanët që sipas tij përveç grintës, luftës, tashmë kanë dhe pikët.

“Nuk po e them vetëm unë, ngaqë luajmë përballë tyre, por të gjithë specialistët, analistët dhe trajnerët kanë deklaruar se Kastrioti në dy fazat e fundit renditet pas Tiranës për pikët dhe lojën e treguar.

E dimë se do të jetë një përballje shumë më e vështirë se me Dinamon dhe Skënderbeun. E kemi vlerësuar maksimalisht dhe gjatë gjithë javës jemi përgatitur me program shtesë për këtë sfidë.

Gjithsesi, kam aq përvojë në Superiore sa të tilla përplasje t’i vlerësoj me realizëm dhe jo me doza euforie. Jam koshient se kur luajnë dy ekipe në nivele, të themi të barabarta, atëherë të tria rezultatet pritet të jenë të mundshme.

Secili ekip do të mundohet të fitojë dhe loja dhe fati do ta nderojnë njërin. Egnatia do të futet në fushë me qetësinë dhe sigurinë më të madhe për të demonstruar atë futboll që kemi treguar në javët e fundit.

Objektivi ynë mbetet fitorja, pasi do të ishte një hap jo i vogël drejt synimit final, largimi nga vendi i tetë. Se sa do t’ia arrijmë, këtë ia lëmë fushës.

Personalisht nuk shoh favoritë dhe ekipi që do të gabojë më pak dhe do të jetë më lart psikologjikisht do të ketë sukses”, u shpreh kapiteni Krasniqi për “Panorama Sport”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat