Mediat madrilene kryqëzojnë Xavi Hernandez

Futboll

Mediat madrilene kryqëzojnë Xavi Hernandez

Më: 8 nëntor 2023 Në ora: 13:10
Xavi me lojtarë

Shtypi madrilen ka përfituar nga dështimi serioz i Barçës kundër Shakhtar Donetsk në Champions League (1-0) për “të vjellë vrer”, veçanërisht duke fajësuar trajnerin Xavi Hernández. Trajneri Blaugrana kritikohet më së shumti në studiot sportive televizive dhe rubrikat e opinionit të mediave iberike.

Manu Carreño, drejtori i ‘El Larguero’ siguroi se “Xavi Hernández është nën akuzë ” pas disfatës në Hamburg. “Fjalët e tij nuk përputhen me atë që shohim në fushë. Askush nuk lexon futboll në fushë si ai. Duhet të dish ta drejtosh një dhomë zhveshjeje plot me yje”.

Manolo Lama i “El Partidazo” në “Cadena Cope” shtoi: “Problemi i madh i Xavi është se ai nuk ka një diagnozë të qartë se çfarë po ndodh me ekipin. Në ‘Anoeta’ tha se i ka pyetur lojtarët në pjesën e parë, nëse dikush është i lodhur, për këtë arsye ka parë ndonjë problem fizik. Sot ai sheh një problem mendor, lojtarët shohin një problem në lojë… Pra, secili ngre një version ndryshe mbi situatën. Xavi nuk e di se çfarë po ndodh në ekip”.

Gerard López dhe Abelardo Fernández (RNE) kanë qasjen e tyre mbi situatën e Barcelonës: “Ke më shumë shanse me lojtarët e rinj sesa me dy lojtarë që janë në huazim dhe nuk e dinë se çfarë do të ndodhë me ta (duke iu referuar Joao Cancelo dhe Joao Félix)”.

Abelardo, nga ana e tij, nënvizoi stanjacionin e yllit kryesor, Lewandowski: “Unë mendoj se Barça nuk do të ketë probleme për t’u kualifikuar në raundin e dytë, por duhet të përmirësohet. Xavi duhet të kërkojë zgjidhje. Lewandowski është në një moment të keq, por jo sepse nuk shënon gola, thjesht nuk shtyn përpara…”

Pikërisht Robert Lewandowski është boshti i analizës së ndihmësdrejtorit të ‘As’, Santi Giménez: “Sulmuesi polak nuk ka gjuajtur në portë në të gjithë ndeshjen kundër Shakhtarit, si dhe nuk ka shënuar në 6 ndeshje. Barcelona ka filluar të shohë qartë se ka një problem me Robert Lewandowski dhe ëndërron të përshpejtojë ardhjen e Vitor Roque, sulmuesit 18-vjeçar nga Athletico Paranaense”.

Gjithashtu, delegati i ‘Marca’ në Katalonjë, Luis F. Rojo, theksoi “paaftësinë sulmuese” të demonstruar nga Barça kundër Shakhtarit: “Skuadra e Xavit u tregua plotësisht jofunksionale gjatë gjithë kohës. Edhe pse zotërimi i topit ishte në masë dërrmuese i Barçës, lojtarët nuk mundën të gjenin rrugën për të shënuar gol. Ata thyen kokën në mbrojtjen rivale dhe ishin absolutisht të paaftë për të gjetur zgjidhje sulmuese. Askush në ekip nuk shpëton nga kritikat. Më i miri ishte Ter Stegen”.

Kryeredaktori i rubrikës sportive të ‘El País’ në Katalonjë, Ramon Besa, shprehet shumë i ashpër: “Barça, e mundur nga  Shakhtari, është shakaja e Europës”. Më pas ai thekson në fillim të kronikës së tij: “Sigurisht që nuk ka skuadër më qesharake në Evropë se Barça.

Gjëja e fundit qesharake ka qenë humbja ndaj një rivali të vogël, që nuk mund të luajë as në vendin e tij për shkak të luftës dhe është dashur të strehohohet në Hamburg. Humbja 1-0 ndaj Shakhtarit nuk ka rëndësinë e 4-0 të Liverpool-it apo 3-0 të Romës, nuk kujton as disfatën 8-2 ndaj Bayern Munich.

Rezultati mund të korrigjohet, sepse tifozët e Barcelonës ende aspirojnë për t’u kualifikuar në 1/8 finale të Ligës së Kampionëve. Sidoqoftë, tallja ishte po aq e madhe për shkak të pafuqisë së skuadrës së Xavit pas dy vitesh mungesë në fazat me eliminim direkt të kompeticionit elitar të klubeve në Europë”.

Në debatet tipike që gjenerohen në ‘El Chiringuito’ (A3 Media), José Álvarez u shpreh: “Ka pasur shumë tension dhe shumë nerva në dhomat e zhveshjes së Barçës pas humbjes. Po humbet besimi mes lojtarëve dhe stafit. Xavi nuk është i përgatitur ta drejtojë Barçën”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat